Elbasan, pranga dy policëve roje

Viktima Gentian Beqiri
Dy policët rojë, përgjegjës për ngjarjen e djeshme, u arrestuan rreth një orë pas krimit me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Me urdhër të Prokurorisë, Policia e Elbasanit prangosi dje kolegët që ishin në turn gjatë ditës së djeshme për të ruajtur personin ndaj të cilit Gjykata kishte vendosur masën arrest shtëpie. Dy efektivët e Policisë, Sami Dërstila dhe Reshat Budani, janë arrestuar dhe ndodhen në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë për veprën penale shpërdorim detyre, bëri të ditur dje Policia e Elbasanit. Sipas burimeve të Policisë, dy autorët e ngjarjes së rëndë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim, por për efekt hetimi emrat e tyre nuk u bënë të ditur. Ndërkaq, policët e arrestuar mësohet të jenë shfajësuar para kolegëve të tyre me faktin se kishin menduar se dy personat e panjohur për ta ishin të afërm të familjes Beqiri. Ne kuptuam se çfarë kishte ndodhur vetëm në momentin që ata kanë zbritur poshtë. Ata nisën të vrapojnë në momentin që i pyeta se pse qëndruan kaq pak te Gentiani. Kështu mësohet të ketë deklaruar efektivi që ka qenë rojë te dera e pallatit. Të njëjtin version ka dhënë edhe efektivi tjetër, sipas të cilit personat ishin futur brenda dhe vetëm pas pak minutash kishin dalë jashtë. Por pistoleta me silenciator u ka dhënë mundësinë autorëve të largohen në kohë. Asnjëri nga policët nuk ka dëgjuar krismë. Edhe komshinjtë kanë deklaruar në Polici se nuk kishin dëgjuar asgjë të dyshimtë. Nuk kanë qëndruar as 10 minuta lart në banesë dhe më pas kanë zbritur shkallët. Kur i pamë që vrapuan, kuptuam se diçka e rëndë mund të kishte ndodhur lart në banesë, kanë vijuar më tej policët, të cilët kanë mohuar çdo lidhje a implikim të mundshëm në ngjarjen e djeshme. Ata kanë shkuar menjëherë në banesën e Gentian Beqirit dhe e kanë gjetur atë në krevat të vrarë me disa plumba. Ndërsa babai i viktimës ishte shtrirë në tokë, pa ndjenja. Menjëherë ata kanë raportuar në Polici për ngjarjen, por një orë më pas u arrestuan për shpërdorim të detyrës. Mësohet se dy rojet e viktimës kanë deklaruar se janë të pafajshëm për situatën dhe se kanë qenë gjithnjë në gatishmëri për sa i përket ruajtjes së Beqirit. Dyshohet se pas vrasjes, autorët e kanë qëlluar me tytën e pistoletës në kokë të zotin e shtëpisë, në mënyrë që ai të mos kishte mundësi të jepte alarmin teksa ata do të zbrisnin shkallët.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU