Elbasan, punonjësi i bankës vjedh llogarinë e bashkisë
Elbasan- Krimi kibernetik duket se ka marrë përmasa shqetësuese edhe në vendin tonë. Një hacker ka mundur të hyjë në numrin e llogarisë së Bashkisë Elbasan dhe ka kryer operacione financiare nëpërmjet thesarit, duke përfituar shuma të mëdha të hollash. Fakti është zbuluar kur nga verifikimet e kryera në dokumentacion e shifra nuk ka pasur rakordim mes institucioneve përkatëse. Nga hetimet paraprake rezulton se hackeri është punonjës i një banke të nivelit të dytë në Elbasan. Madje burime hetimore pohuan se kanë zbuluar edhe bankën dhe janë shumë pranë gjetjes së autorit. Çështja po ndiqet edhe nga Ministria e Financave, e cila ka depozituar një kallëzim penal. Pak a shumë skema ka qenë e tillë. Bankieri -hacker ka ndërhyrë në numrin e llogarisë së Bashkisë së Elbasanit dhe ka komunikuar me degën e thesarit, strukturë kjo që e ka konsideruar të rregullt transaksionin, pasi gjithçka ka rezultuar pa ndonjë gjë të dyshimtë deri në atë moment. Pirati kibernetik ka mundur të gjejë ose fshijë kodet dhe elementët e sigurisë së numrit të llogarisë, dhe më pas ka kryer veprimin financiar, sikur të ishte punonjës i bashkisë. Dyshohet se hackeri në fjalë ka ndërhyrë edhe në faqet e institucioneve të tjera, që kryejnë transaksione me thesarin. Ndaj hetimet kanë marrë përmasa të gjëra. Nga ana e saj, Bashkia e Elbasanit e ka pranuar faktin. I pyetur rreth këtij problemi, kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, u shpreh se “Çështja po ndiqet nga Ministria e Financës, por edhe bashkia do të depozitojë një kallëzim penal për pirateri dhe krim kibernetik”. Kohët e fundit policia po i kushton një vëmendje shumë të madhe krimit, nëpërmjet kompjuterëve, pasi ky po përhapet shumë duke zëvendësuar metodat e vjetra. Një nga rastet më të freskëta ishte edhe ai i djeshmi, i zbuluar dhe ekzekutuar nga Policia e Tiranës, e cila arrestoi pesë bullgarë të cilët vidhnin shuma të mëdha parash nga llogaritë e shtetasve të ndryshëm, me anë të kartave bankare false. F.S.