E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici bashkiak plagos kolegun për një relacion negativ

Tiranë- Një punonjës i Policisë Bashkiake ka plagosur rëndë kolegun e tij, duke marrë hak për një relacion negativ që ai kishte bërë. Dy policë të Bashkisë së Tiranës janë konfliktuar mesditën e djeshme, rreth orës 15:00 me njëri-tjetrin, në dyert e drejtorisë së Policisë Bashkiake dhe pas ndërhyrjes së të tjerë kolegëve, me vullnet të dyanshëm kanë vendosur të shkojnë në një lokal aty pranë, për të folur më qetë me njëri-tjetrin. Pas debateve mes të dyve, policët kanë shkuar për t'u sqaruar në një lokal aty pranë, por sqarimi ka degjeneruar në përplasje. Ata janë konfliktuar fizikisht, ndërsa më pas efektivi Endri Durrësi ka goditur me qytën e armës kolegun e tij, Dilaver Shkreli. Mësohet se arma me të cilën ai e ka goditur, nuk është arma e detyrës, por një pistoletë të cilën e mbante pa leje. Shkreli ka marrë plagë në trup e kokë, ndërsa aktualisht ai po merr ndihmën në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shkak për konfliktin është bërë një relacion që Shkreli kishte përgatitur ndaj Durrësit, për sjellje jo të hijshme gjatë detyrës. Në lokalin ku ndodhi përplasja ka shkuar menjëherë Policia e Tiranës, dhe ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe polici Durrësi, i cili pas ngjarjes është larguar në drejtim të paditur. Gjatë orëve të pasdites është marrë edhe dëshmia e të plagosurit Dilaver Shkreli, i cili ka sqaruar për agjentët e policisë motivin e përplasjes me kolegun e tij. Dëshmitarë të ngjarjes i thanë dje “MAPO”-s se dy policët ishin në gjendje të dehur dhe degradimi në dhunë ka filluar pasi ata kanë pirë për më shumë se një orë e gjysmë pije alkoolike në lokal. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›