E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 5 bullgarëve, zbulohet skema e vjedhjes së bankomateve

SHKRUAN: Habjon Hasani 03-08-2011 14:09

Tiranë- Kanë ardhur nga Bullgaria me valixhet e mbushura me aparatura të manipulimit të bankomateve dhe për pesë muaj kanë mundur të përfitojnë mijëra euro në Shqipëri. Policia e Shtetit bëri të ditur dje se gjatë operacionit të koduar “Bankomati i rremë” ka bërë të munduar arrestimin e 5 shtetasve bullgarë, të cilët akuzohen për mashtrim kompjuterik, me qëllim përfitim të paligjshëm parash. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit bëri të ditur finalizimin e operacionit policor, që çoi në arrestimin e të pesë bullgarëve, të cilët duket se në pak muaj kanë mundur të përftojnë më shumë se 150 mijë euro nga xhepat e klientëve të bankave. Dragomir Ivanov Bonev 35 vjeç, Ivo Dimitrov Ivanov 37 vjeç, Pavel Vladimirov Milenov 31 vjeç, Nikolay Yordanov Tosonev, 33 vjeç dhe Aleksandar Kolev 38 vjeç, janë pesë të arrestuarit nga Sofia, të cilët do të përballen tashmë me akuzat përballë drejtësisë shqiptare. Grupi kriminal, me anë të pajisjeve speciale, kopjonte të dhënat e kartave të kreditit dhe debitit, duke bërë të mundur më pas klonimin e kartave bankare për të grabitur kështu para nga klientët e bankave. Arrestimi i tre prej tyre u bë në flagrancë, në një apartament në Durrës, teksa ishin duke përgatitur pajisjet për të klonuar kartat, ndërsa dy të tjerët janë arrestuar në tentativë për t’u larguar nga vendi. Sipas policisë, ky grup kriminal ka kryer një sërë sulmesh në bankomatet e bankave të nivelit të dytë gjatë muajit maj, duke përfituar 150 mijë euro nga 100 transaksione bankare në muajt maj-korrik 2011. Hetimet për zbardhjen e krimit të 5 bullgarëve kanë vijuar me muaj. Policia e Shtetit theksoi se nga hetimet rezultoi se ky grup kriminal ka ardhur disa herë në Shqipëri dhe me pajisje elektronike të prodhuara në mënyrë artizanale, të modifikuara si pjesë të bankomatit, kanë kopjuar të dhënat e kartave të debitit dhe kreditit në disa bankomate të qyteteve të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe më pas këto të dhëna janë përdorur për të prodhuar karta bankare të klonuara, me qëllim për të tërhequr para në mënyrë të paligjshme. Gjatë kontrollit të ushtruar, policia ka sekuestruar tre copë pajisje kompjuterike “Skimmer”, që shërbejnë për klonimin e kartave me logo të bankave, dy mikrokamera dixhitale për regjistrimin e kodeve PIN, dy kamera dixhitale për fotografimin e bankomateve, dhjetëra karta plastike me shirit magnetik me te dhëna të kartave bankare të vjedhura, tre kompjuter “Laptop” që kanë shërbyer për programimin e këtyre të dhënave, dy makina, pesë celularë si dhe një shumë prej 1000 eurosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›