E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i grevës: Nuk mund të presim më, do nxjerrim shokët e do mbysim nivelin

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 03-08-2011 14:05

Baki Bajraktari, kryetari i 13 grevistëve të urisë në minierën e Bulqizës, e cilëson tallje, marrëveshjen e ofruar nga kompania ACR. Në një intervistë për “MAPO”, ai thotë se gjendja në galeri sa vjen e rëndohet. “E thënë në gjuhën tonë, ne kemi bërë 27 turne këtu brenda, ku nuk durohet dot një 8-orësh”, - thotë Bakiu, i cili komenton më pas edhe negociatat me përfaqësuesit e kompanisë ACR dhe deputetin e zonës. Nga ajo sa tregon minatori, mosfirmosja e marrëveshjes pa praninë e Sindikatës është më së pari çështje e mungesës së besimit. “ACR na jep një kacidhe dhe na çon në punë. Kjo kompani tallet me ne, ndaj ne i kemi dhënë të drejtën Sindikatës të na mbrojë”, - shpjegon ai arsyet pse nuk firmoset marrëveshja. E në fund, Baki Bajraktari bën paralajmërimin e tij, duke pohuar se sot është dita e fundit në pritje të një përgjigjeje. “Kjo marrëveshje duhej të ishte nënshkruar. Ne nuk mund të presim më. Së bashku me një shok do nxjerrim jashtë minatorët e do të përmbytim nivelin” - paralajmëron ai.

Sot bëhen 9 ditë që jeni në grevë urie, 1000 metra nën tokë. Si është gjendja e grevistëve?

Gjendja është shumë e rënduar. Një shok, përpara gjysmë ore iku në spital në gjendje shumë të rëndë. Në këto kushte që jemi, ne me zor e kalonim 8-orëshin dhe jo më të rrish 9 ditë pa ngrënë dhe me mungesë ajri. Ne kemi bërë 27 turne, e thënë në gjuhën tonë këtu brenda.

Gjatë një bisede që patëm me kryetarin e Sindikatës, Kol Nikolla, ai na tha që marrëveshja është arritur, por që nuk firmoset për shkak se është pjesëmarrëse dhe Sindikata. Pse nuk pranoni ju që kjo marrëveshje të firmoset pa praninë e Sindikatës?

ACR tallet në këtë moment me ne, se ACR-ja e ka lidhur një kontratë me Kol Nikollën. Edhe kur thotë që të vijnë 4 punëtorë për të firmosur, ajo tallet me ne. Ajo na jep nga një kacidhe dhe na çon në punë. Të palarat atyre ua nxjerr Kol Nikolli, sepse ai si sindikatë ka ekonomistë e juristë. Ne nuk dimë nga këto gjëra dhe prandaj i kemi dhënë të drejtën Sindikatës të na mbrojë. Ne jemi pa shkollë dhe nuk dimë nga këto gjëra. Ne dimë vetëm të gërmojmë dhe të shtyjmë vagonët. Edhe deputeti i zonës na ka thënë për këtë gjë dhe ne i thamë që hajde ta bëjmë marrëveshjen 4 punëtorë, por në fund të firmosë edhe Kol Nikolla. Atij i thamë që është njësoj sikur të hyjmë në bisedime me Partinë Demokratike dhe ne t’i themi që nuk e duam Sali Berishën. Ata thjesht tallen me ne.

Ju do vazhdoni të qëndroni këtu, derisa kjo marrëveshje të nënshkruhet? Dhe sa mund të duroni?

Kjo marrëveshje duhej të ishte nënshkruar. Ne nuk mund të presim më. Unë bashkë me një shok tjetër, do të nxjerrim shokët e tjerë jashtë dhe do të mbysim nivelin. Bashkë me nivelin do të mbytemi edhe ne. Do të bëhet i papunueshëm ky nivel. Prandaj kemi zënë galerinë dhe vendin strategjik, këtu tek pompat.

Sa afat i jepni kompanisë ACR për të plotësuar të gjitha kërkesat?

Edhe sot (dje). Nesër (sot) fillon mbytja e nivelit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›