E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikolla: Kryetari i Bashkisë dhe deputeti, kundër minatorëve

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Kol Nikolla tregon për kërkesat e minatorëve dhe për marrëveshjen që është gati e përfunduar me kompaninë ACR, por që nuk firmoset. Shkaku është shmangia e përfaqësuesve të Sindikatës në negociata. “Me ACR-në kemi arritur një marrëveshje verbale për rritjen e pagave 20%, përmirësimin e kushteve të minatorëve, si dhe kryerjen e investimeve të tjera në galeri, që do të shtonin dhe 6 nivele të tjera, nga ku do të nxirrej mineral. Edhe pse kjo marrëveshje është arrirë, ajo nuk është firmosur, pasi nuk pranohet që në grupin e 4 minatorëve që do të firmosin të jemi dhe ne si Sindikatë”, - thotë Nikolla. I pyetur për arsyet pse Sindikata nuk tërhiqet, në kushtet kur gjendja e minatorëve sa vjen e rëndohet, Nikolla përgjigjet se janë grevistët ata që nuk pranojnë. “Ne si sindikatë jemi gati të tërhiqemi nga firmosja e kësaj marrëveshjeje, vetëm për të mirën e minatorëve, në rast se këta të fundit na e kërkojnë. Por kjo marrëveshje nuk është firmosur dhe për një arsye tjetër, pasi Kryetari i Bashkisë dhe deputeti i zonës janë përpjekur të punojnë kundër minatorëve dhe të përçajnë grupin, por që nuk ia kanë arritur. Grupi i grevistëve është shumë solid dhe do ta çojë deri në fund këtë gjë që ka nisur” – tregon Nikolla. Ai ka akuzuar kompaninë ACR se nuk ka bërë një marrëveshje konkrete me minatorët e kjo situatë do të vazhdojë deri sa kjo kompani apo qeveria të marrin seriozisht kërkesat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›