Hajdutët futen nga çatia, vjedhin 40 mijë euro dhe bizhuteri
Fier - Vjedhje spektakolare në fshatin Ninësh të rrethit Mallakastër. Plot 29 mijë euro, 12 mijë dollarë amerikanë, 2 milionë lekë shqiptarë dhe sende të tjera me vlerë, janë vjedhur nga shtëpia, pronë e shtetasit Neim Skënderaj. Persona të paidentifikuar ende nga policia kanë shfrytëzuar këtë radhë jo hyrjet e banesës, portën apo dritaret e saj, por çatinë e shtëpisë.
Ngjarja
Gjithçka është regjistruar në orët e parë të mëngjesit të ditës së djeshme. Në shtëpi ato çaste nuk ka qenë asnjë nga pjesëtarët e familjes Skënderaj. Keqbërësit, të cilët ende nuk dihet se sa kanë qenë në numër, duke shfrytëzuar këtë fakt kanë mundur të futen në oborrin e shtëpisë dhe më pas të hipin mbi çatinë e saj. Më pas, ata kanë lëvizur nga vendi i përhershëm disa tjegulla prej kësaj dhe janë futur në banesë. Pasi kanë arritur të brendësi të saj, hajdutët kanë marrë aty shumën prej 29 mijë euro, 12 mijë dollarë amerikan si dhe dy milionë lekë shqiptare. Ata nuk kanë harruar që të vjedhin edhe një sasi bizhuterish së bashku me shumën e të hollave. Më pas, keqbërësit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, pa u diktuar nga askush. Vetëm pasi janë kthyer në shtëpi, anëtarët e familjes kanë diktuar vjedhjen. Ata kanë lajmëruar policinë dhe kjo e fundit ka mbërritur në vendngjarje për veprimet e rastit. Ekspertë të policisë kanë këqyrur vendin e ngjarjes, duke kryer edhe ekspertizën përkatëse. Në vendngjarje janë grumbulluar materiale dhe prova, përfshirë edhe gjurmët e lëna prej keqbërësve. Mendohet se ata mund të kenë qenë më shumë se dy persona. Burime policore, nisur nga natyra e vjedhjes, janë shprehur se vjedhja është kryer nga persona që kanë pasur dijeni për ekzistencën e shumave të eurove, dollarëve dhe lekëve në banesë. Po të njëjtat burime jo zyrtare pohuan se policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Përveçse ka marrë në pyetje anëtarët e familjes, policia nga ana e saj ka shoqëruar edhe pjesëtarë të komunitetit të lagjes, ku është e ndërtuar shtëpia, pronë e familjes Skënderi. Burime policore pohuan se e gjithë kjo shumë ishte mbledhur për të investuar në ndërtimin e një godine të re banimi për këtë familje.