E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, restorantet i rikthehen gatimeve tradicionale

Administratorët e lokaleve po ndërrojnë menutë, duke hequr gatimet e huaja dhe vendosur ato tradicionale, siç janë tava me kos, mishi i pjekur në saç, mistiku me pulë, etj.

Administratorët e restoranteve shprehen se çdo ditë e më shumë klientët po preferojnë gatimet tradicionale shqiptare, duke lënë mënjanë gatimet e huaja, madje edhe turistët preferojnë gatimet elbasanase.
     
Ata thonë se tashmë ka ikur kurioziteti që kanë pasur për gatimet e huaja, gjithashtu këto vitet e fundit edhe turistët e huaj preferojnë gatimet tradicionale si, mishi i saçit, madje dhe buka e çerepit.

Një tjetër gatim, që sipas administratorëve është kthyer në “mbretin” e tavolinës tradicionale në Elbasan, është edhe tava me pistil. Është gjellë dimërore dhe kryesisht përgatitet me mish dashi, zakonisht në tavë balte. Përveç mishit, element kryesor ka qepën, e cila pasi grihet shoqërohet me kripë e spec të kuq, shtypet me dorë e shtrihet në tavë. Para se të futet në furrë i vihet mishi, vaji, pak oriz dhe pistil i ndarë në pjesë.

Edhe pse temperaturat kanë shënuar deri në 37 gradë celcius, në të gjitha restorantet e qytetit dhe në periferi të tij, kjo gjellë është ndër më të preferuarat. Për nga vetë klima gjeografike që karakterizohet qyteti i Elbasanit, gatimet tradicionale konsiderohen si të freskëta dhe preferohen nga vendasit dhe turistët e huaj.
     
Në kuzhinën tradicionale të Elbasanit ka lënë gjurmë edhe kuzhina turke. Kjo dallohet më së shumti tek përdorimi i erëzave të ndryshme aromatike dhe pikante, si dhe tek perimet e mbushura (imam bajalldi dhe speci i mbushur). /Start/

                                                                                             2011-06-25 14:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›