Nis fluksi i udhëtarëve nga Evropa
DURRES - Nis fluksi i vërtetë i pasagjerëve në portin e Durrësit. Pas datës 10 korrik e në vazhdim, në Durrës kanë zbarkuar nga vendet e BE-së mbi 6 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj në ditë. Autoritetet saktësojnë se ky nivel i lartë udhëtarësh tani nuk njeh ndalje, të paktën deri në mesin e muajit shtator, kur shumica e tyre të jenë kthyer sërish nga pushimet. Nga ora 08:00 e ditës së djeshme në Durrës zbarkuan 1 565 shtetas shqiptarë dhe 5 394 kosovarë, maqedonas e nga shtete të tjera. I konsiderueshëm është edhe numri i autoveturave që mbërrijnë në Durrës. Ndërkohë për sa i përket kahut të kundërt (daljeve nga Durrësi) shifrat janë minimale. Të dhënat flasin se numri i udhëtarëve dhe i automjeteve në kahun Durrës-Bari është 10-12 herë më i ulët se ai për në portin shqiptar. Kompanitë e lundrimit kanë shtuar tragetet në linjën e Barit, e cila është edhe ajo më e përdorura nga turistët dhe emigrantët. Burimet flasin se çdo ditë mbërrijnë në Durrës 7-8 tragete, duke lënë pa llogaritur katamaranin. Veç Barit, operative është edhe linja e Ankonës dhe e Triestes. Me këta tre porte të Apenineve lindore përballohet i gjithë trafiku detar i pasagjerëve në Durrës. o.u