Kapen 16.5 kg heroinë në kufi, ndalohet 32-vjeçari
PËRMET – Rikthehet sërish linja e trafikimit të heroinës në jug të vendit, në zonat kufitare me Greqinë. Burimet policore të Përmetit raportojnë se dje paradite është sekuestruar një sasi prej 5 kilogram drogë e llojit heroinë, si dhe është arrestuar shtetasi Ardian Rexhepi, banues në qytetin e Korçës. Pak orë më vonë është gjetur në një makinë të braktisur edhe një sasi tjetër prej 11.5 kg drogë, edhe kjo e llojit heroinë. Sipas zëdhënësit të policisë së qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullai, i dyshuari për trafik të lënda narkotike u ndalua të martën në pikën e kalimit kufitar të "Tre Urave", rreth 25 km larg qytetit të Përmetit, teksa udhëtonte me mjetin me targa greke YBM 3402. Mullai sqaron se heroina transportohej me një automjet dhe kishte si destinacion Greqinë". Sipas Mullait, në vendngjarje ndodhen ekspertë të sektorit të luftës kundër trafiqeve dhe lëndëve narkotike të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Gjirokastrës. Vetëm disa orë më vonë u gjet sasia e tjetër e heroinës në një automjet të braktisur. Tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e autorëve të trafikimit, të cilët kanë braktisur mjetin me drogë, në momentin që kanë kuptuar se do të përballen me kontrolle të rrepta nga forcat e rendit. Një javë më parë në qytetin e Korçës u asgjësua një rrjet i shpërndarjes së drogës. Ndërsa në Fieri u ndalua një shtetas, pasi në makinën e tij u gjet një sasi prej 1.16 kg heroinë.
Mbeten në burg të akuzuarit për abuzim me mallrat ushtarake
Katër personat e arrestuar tre dite më parë për abuzime me lejet e mallrave ushtarakë, dy prej të cilëve ushtarakë, janë njohur dje me masën e sigurisë të dhënë nga gjykata e Tiranës. Tre prej të arrestuarve, Shkëlzen Madani, Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Kadri Suli, komandant i brigadës së furnizimit në strukturat e forcave te armatosura, me gradë kolonel, dhe Ferdinand Hodo, Administrator i Shoqërisë “Geoconsult sh.p.k”, do të qëndrojnë në burg, ashtu siç kishte vendosur dhe më parë gjykata. Gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga arrest në burg në arrest shtëpie ndaj Aurela Çotës, përfaqësuese e shoqërisë Nitromak Albania. Masa në ngarkim të 4 të akuzuarve u komunikua nga gjyqtarja Anila Kristani e cila kishte firmosur më parë edhe vendimin për arrestimin e tyre pas kërkesës se prokurorisë. Katër personat, njëri prej të cilëve me gradë kolonel,dyshohen se në bashkëpunim me njëri -tjetrin, se kanë kryer veprime korruptive në procesin e dhënies së lejeve që akordon Ministria e Mbrojtjes në fushën e menaxhimit të mallrave ushtarake. Mësohet se Shkëlzen Madani dhe kolonel Kadri Suli, morën këtë masë sigurie për veprën penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike. Ndaj kolonel Sulit është ngritur dhe akuza për shpërdorim detyre. Ndërsa Aurela Çota dhe Ferdinand Hodo, akuzohen për veprën penale të korrupsionit aktiv të personit që ushtron funksione publike. Ndaj Hodos është ngritur edhe akuza "ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Të katër personat hetoheshin që prej fillimit të këtij viti. “Nga hetimet e zhvilluara nga Prokuroria ka prova se katër të arrestuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime korruptive në procesin e dhënies së lejeve që akordon Ministria e Mbrojtjes në fushën e menaxhimit të mallrave ushtarake.
Apeli rikthen për gjykim dosjen e Dondollakut
Tiranë - Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka rikthyer për rigjykim në shkallën e parë dosjen për Enver Dondollakun i njohur si një nga të pandehurit e “Bandës së Lushnjës”. Pak muaj më parë gjykata e shkallës së parë për krime te rënda e ka dënuar të pandehurin në mungesë me 25 vite burg. Por ky vendim u apelua nga avokati mbrojtjes, i cili pretendoi për shkelje procedurale gjatë gjykimit. Kjo kërkesë u mor parasysh nga trupi gjykues, i cili e ka rikthyer edhe një here për gjykim në shkallën e parë .
Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon Dondollakun i njohur ndryshe edhe si krahu i djathtë i Aldo Bares, si pjesëmarrës në ekzekutimin e pesë personave, plagosjen e dy të tjerëve, si dhe shkatërrime të pronave të bëra në emër të bandës në qytetin e Lushnjës. Sipas dosjes, që disponon organi i akuzës, grupi u krijua në korrik te vitit 1997, kur Artur Daja ka vrarë Ramadan Shkurtin, vëllanë e Alfred Shkurtit (Aldo Bares). Menjëherë pas vrasjes se vëllait, Aldo Bare ka krijuar edhe grupin e tij kriminal, kur realizoi vrasjen e Artur Dajës, me 21 tetor të vitit 1998 ku kokën e viktimës e ka shëtitur në qytetin e Lushnjes
7 Maj 2008