E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria “kometë” mbi Sindikatat



Nga Luan Shtëpani

Sipas Ligjit i cili do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, këshillat e punëmarrësve do të kryejë “rolin” e sindikatave ( brenda tre viteve) do të mbrojnë të drejtat e punëmarrësve lidhur me pagat, fitimet, sistemin e pensioneve etj. Ligji “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i përgatitur nga qeveria shqiptare parashikon krijimin e këshillave të punëmarrësve, si dhe përcakton kompetencat këshilluese dhe informuese për çështjet më me rëndësi për shoqërinë. Këshilli i punëmarrësve Punëmarrësit e një shoqërie tregtare, e cila ka më shumë se 50 punëmarrës, krijojnë këshillin e punëmarrësve me mandat maksimal prej 5 vitesh. Funksionet e një shoqërie tregtare, e cila ka mbi 20 punëmarrës, por më pak se 50, kryhen nga një përfaqësues për çdo 10 punëmarrës, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga asambleja e punëmarrësve të shoqërisë. Asambleja e punëmarrësve zgjedh një përfaqësues të ri për çdo 20 punëmarrës shtesë të shoqërisë. Në çdo rast, këshilli i punëmarrësve, nuk mund të ketë më shumë se 30 anëtarë. Këshilli mund të nxjerrë rregullore të brendshme për të organizuar procedurat e veta. Përfaqësuesi ligjor i shoqërisë tregtare dhe këshilli i punëmarrësve, mund të bien dakord që të emërojnë persona për të përfaqësuar punëmarrësit në nivelin e administrimit. Këshilli i punëmarrësve monitoron zbatimin e ligjeve dhe të kontratave kolektive dhe dispozitave të Statutit të shoqërisë (firmës), si dhe përfaqëson interesat e punëmarrësve të shoqërisë. Këshilli merr pjesë në vendimmarrjen për shfrytëzimin e fondeve të posaçme dhe të aktiveve të tjerë të shoqërisë, të parashikuara në kontratat kolektive dhe në statut, si dhe shpërndarjen e pjesës së fitimeve, që Asambleja e Përgjithshme vendos t’ia shpërndajë punëmarrësve. Këshilli gjithashtu, mund të informojë veten drejtpërdrejtë për paraqitjen e shoqërisë tregtare dhe të shikojë librat dhe dokumentet e shoqërisë, duke u dhënë mendime dhe sugjerime organeve drejtuese për çështjet të tilla, si pagat, ndryshimin e statutit, sistemin e pensioneve etj. Këshilli i punëmarrësve i raporton asamblesë së punëmarrësve të shoqërisë për veprimtarinë e vet, të paktën dy herë në vit, ose sa herë e kërkon shumica e punëmarrësve. Kostot e zgjedhjes dhe të funksionimit të këshillit të punëmarrësve mbulohen nga shoqëria tregtare. Përcaktohet qartë edhe regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Për sa më lart duket se formulimi i ri, do të sjellë dhe një sfidë për sindikatat e krijuara në vitin 1991. Në kushtet shqiptare, ky ligj e dobëson edhe më shumë lëvizjen sindikale, ky ligj ka vlera për sindikatat e konsoliduara të Europës dhe më gjerë. Në parantezë ky është modeli gjerman. Vetë kryeministri, z. Berisha e di se si u krijuan sindikatat, përse u dobësua roli i tyre dhe se a kanë të drejtë të mbijetojnë në këtë treg të trazuar të OJF-ve. Për të qenë korrekt, shumë organizata janë krijuar, ka çoroditje se me kë duhet të bashkëpunohet, por mbi të gjitha ka institucione si p.sh Këshilli Kombëtar i Punës që vendosin se cili është përfaqësuesi. Po t’i rikthehemi viteve që nga krijimi i sindikatave me lehtësi mund të konstatohet se gjatë gjithë periudhës së veprimtarisë së tyre ka patur arritje, por dhe dobësi të cilat reflektohen dhe në nivelin e tyre të përfaqësimit. Në shumicën e rasteve, sindikatat e fragmentarizuara nuk kanë arritur të jenë në nivele bashkëkohore me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të homologëve ndërkombëtarë që ata në unison të veprojnë jashtë interesave të tyre të çastit, vetëm në dobi të punëmarrësve të cilët përfaqësojë. Të ndarë sipas profesioneve, të grupuar sipas modelit të tyre, sindikatat nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët, e thënë më thjeshtë aty ku ka probleme qoftë dhe në një ndërmarrje të vetme, të gjithë bashkë për të arritur qëllimin për më shumë kushte dhe siguri në punë, për paga më të larta etj. Një fenomen tepër negativ që ka shoqëruar në vite “avokaten e punëmarrësve” ka qenë devijimi nga sindikatat e vërteta në pseudosindikata apo e shprehur në fjalorin e Organizatës Botërore të Punës (ILO) sindikatat e “verdha” të cilat kanë dhunuar të drejtat e punonjësve, ndërsa ndarja në dy fronte (me qeverinë ose kundër saj ) e ka dëmtuar në themel lëvizjen sindikaliste shqiptare. Në Shqipëri u krijuan në vitet e para të pluralizmit, dy grupime sindikale, në vitet që pasuan mbi 65 sindikata të cilat e coptuan lëvizjen e punëtorëve e cila pati në themel mbrojtjen e interesave social- ekonomike. Po kush është shkaku i copëtimit?! Me siguri egoizmi i “njëshit”, d.m.th mungesa e demokracisë dhe sulmi ndaj të aftëve. Kushdo e ka më se të qartë se të gjithë pushtetarët dhe mbarë shoqëria civile e ka shumë të vështirë të përmendë emrin “sindikatë” që në botën e qytetëruar dhe me shumë demokraci është gjëja më e shenjtë për punëtorët. Për t’iu rikthyer asaj që është përgatitur për të “zhdukur” sindikatat lind e drejta për të gjykuar se ky nuk do të ishte hapi në drejtimin e duhur, sepse sindikatat do të ekzistojnë. Këshillat punëtore mund të “thithen” nga sindikatat të cilat nën emblemën e mbështetjes ndërkombëtare dhe të partneritetit do të kryejnë rolin e tyre për t’i mbështetur ose për t’i sabotuar. Hartuesit e ligjit në radhë të parë duhet të vlerësojnë se situata e krijuar nuk është në favor të mirëfunksionimit të vetë shoqërive tregtare, pa le të shoqërisë në përgjithësi. Këshillat punëtore duke qenë në varësi direkte të punëdhënësit do të jenë thjeshtë vartës dhe të punësuarit e tij dhe asnjëherë nuk mund të jenë oponencë konstruktive.

7 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›