Përpara rrezikut bërthamor
Nga Gjergji Gambeta
Njerëzit zakonisht nuk u japin rëndësi rreziqeve të padukshme. Kanë vetinë të reagojnë vetëm kur u digjet “lëkura” e tyre. Kur bëhet fjalë për rreziqe të karakterit më të madh p.sh. atij bërthamor, ky lloj reagimi thuajse naiv dhe fëmijëror pushon së qeni i tillë.
Së pari frika e mëparshme e rrezikut bërthamor me trajtën e njohur klasike - që ishte ngulitur në koshiencën e të gjithëve gjatë viteve të Luftës së Ftohtë sidomos midis ish superfuqive Rusi dhe SHB - jo se nuk ekziston… vetëm se kontrollohet. Gjatë viteve ’90 Rusia dhe SHBA ulën ndjeshëm numrin e konsiderueshëm të armëve bërthamore nga 65000 në 25000 armë të tilla. Gjithsesi edhe ky numër është tmerrësisht i madh sepse kalon çdo parashikim në rast se ndodh diçka, pra një përplasje bërthamore! Por sikur të mos mjaftonte kjo, janë edhe 1000 armë bërthamore të tjera që posedohen nga shtete/fuqi të tjera bërthamore.
Një shqetësim i madh krijon vetë fakti se bota në përgjithësi po përgatitet të kalojë në një fazë më të rrezikshme, për vetë qenësinë e saj. Kjo fazë e re pritet të jetë më e rrezikshme, por edhe shumë më e kushtueshme se sa ajo e Luftës së Ftohtë.
Por përse më e rrezikshme? Sigurisht që ka arsye më të forta.
Ato janë si vijon.
-Lidhja e vërtetuar midis terrorizmit dhe armëve bërthamore. Koreja e Veriut ka armë të tilla dhe po i perfeksionon paçka lëshimeve të fundit nga nevoja imediate e ushqimit. Rreziku i një lufte të tillë me pasoja katastrofike në Lindjen e Mesme me një Iran që nuk heq dorë nga programi bërthamor. Rreziku i prishjes së ekuilibrit delikat atomik me daljen në skenë të fuqive të “mesme” bërthamore, por ky rrezik është më i madh në Pakistan ku ka një rrezik aktual për shkak të gjendjes së brishtë të qeverisjes aktuale. Rreziku për shkak të kontrabandës së mundshme të lëndëve dhe teknologjisë atomike. Rritja e numrit të shteteve, që përdorin burime atomike edhe pse për shkaqe paqësore por të shoqëruar me një rrezik të madh. Rritjes së “oreksit” të tyre atomik edhe për shkaqe apo arsye ushtarake. Nuklearizmi i Hapësirës, që shkakton shkëndijën për një konkurrencë pajisjesh ndërmjet fuqive bërthamore. Duhet theksuar se të dy udhëheqësit e dy fuqive më ta mëdha bërthamore Rusisë dhe SHBA-së e njohin më së miri realitetin po ashtu edhe të ardhmen bërthamore botërore, por për fat të keq nuk po bëjnë diçka për ta ndaluar apo për shkatërrimin në masë të tyre përkundrazi kjo gjendje e ky realitet po përkeqësohet. Platforma e shpëtimit nga ky rrezik dhe kontrollit ndaj këtyre armëve me mos-prodhimin por edhe me shkatërrimin e tyre ekziston dhe duhet forcuar edhe më tej. Bëhet fjalë për Marrëveshjen ABM (shkatërrimin e raketave balistike) si edhe marrëveshja e mos trashëgimit të këtyre armëve NPT. Më shumë përgjegjësi për të dyja këto marrëveshje ka SHBA dhe qeveria Bush me mos ratifikimin e marrëveshjes ABM sepse me këtë mënyrë prishet ekuilibri i sistemit ndërkombëtar ekzistues. Ky rrezik shtohet në momentin kur grupime të ndryshme terroriste sidomos ato të kahut terrorist islamik kanë mundësi gjithmonë e më shumë të bëhet poseduese të kësaj teknologjie. Përdorimi i këtyre armëve nga terroristët nuk do të sjellë vetëm viktima masive të pafajshme por do të ndryshonte gjithë filozofinë ndaj këtyre armëve. Rreziku dhe frika e ëndrrës bërthamore do përfshinte gjithë botën. Do të krijonte një gjendje pa precedent kuptohet, më të rrezikshme se ajo e Luftës së Ftohtë.
Krijimi i fuqive të tjera me një status të paqëndrueshëm politik sidomos nga mungesa e demokracisë apo qeverisjes konstante e shton në masë këtë frikë. Pakistani nuk do të ishte rasti i vetëm…
Përballë këtij rreziku duhet patjetër krijimi i një platforme të re negocimi e aftë të vendosë një ekuilibër të ri të qëndrueshëm. I rëndësishëm është krijimi i mekanizmave ndërkombëtarë të kontrolluar. Kjo platformë duhet të krijohet nga dy fuqitë bërthamore. Vetëm një iniciativë e tillë do të mundësonte një kontroll real bërthamor të shoqëruar sigurisht edhe me asgjësimin në masë.
Një marrëveshje midis fuqive bërthamore por edhe atyre jo bërthamore për mos zhvillimin e armëve të tilla do të ishte zgjidhja ideale për një të ardhme më pak të rrezikshme ndaj gjithë njerëzimit.
Të dyja marrëveshjet e lartpërmendura përbëjnë për pothuajse e tre dekada një oaz shpëtimi e stabiliteti. Edhe marrëveshja e dytë, që formalisht ekziston që prej vitit 2005, është në ajër për shkak se u mbyll pa asnjë deklaratë serioze ndaluese e nuk dha asnjë rezultat.
Rasti më real që është pasojë e mos seriozitetit ka të bëjë me Iranin dhe programin e tij bërthamor. Irani ngul këmbë se po përpiqet për arsye paqësore të pasurojë uraniumin, por asnjeri nuk e di ekuilibrin/të vërtetën se çfarë po ndodh në realitet. Një vendim politik qeveritar do të mjaftonte që pasurimi i uraniumit paqësor të pushonte të ishte kërcënim e të përdorej edhe për arsye ushtarake. E kush mund të japë një garanci sigurie se s’mund të ndodhë një gjë e tillë?
Një do ishte zgjidhja, ndërkombëtarizimi i rrezikut në fjalë me mundësinë e kontrollit të paanshëm ndërkombëtar edhe për programe paqësore bërthamore.
Në të gjithë botën, të gjithë udhëheqësit politikë e njohin një rrezik të tillë, njohin edhe rrugët për parandalimin e kontrollin, por nuk “guxojnë” në vendime e veprime politike duke dhënë përparësi në një çështje të tillë.
Ky realitet e kjo gjendje duhet të ndryshojë. ǒarmatosja dhe kontrolli nuk i takon më të kaluarës por të ardhmes. Duhet të përballemi sot me rrezikun aktual për të mos u degjeneruar në rrezik vdekjeprurës e marrëzie për të gjithë njerëzimin.
7 Maj 2008