Elbasan, rrufeja godet për vdekje 13-vjeçaren
ELBASAN- Ka qenë duke ushqyer bagëtinë në afërsi të banesës, por humb jetën ndërsa goditet për vdekje nga një shkarkesë elektrike. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 17.00 në fshatin Blerimas të komunës Tregan, në Elbasan. Anxhela Llapushi ndodhej fare pranë banesës, duke ushqyer bagëtitë, kur është goditur nga rrufeja. Për të miturën nuk ka patur asnjë mundësi shpëtimi edhe pse familja është përpjekur t’i japë ndihmën e parë. Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve i goditjes nga rrufeja në Elbasan. Në një fshat të Shkodrës shkarkesa atmosferike ka dëmtuar 37-vjeçaren Lumturije Vadinaj me
banim në fshatin Mushan. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kosmac. Gruaja me
bashkëshortin dhe motrën e saj Sabije Sula janë futur nën një pemë për
tu mbrojtur nga shiu. Rrufeja ka goditur pemën dhe 37-vjeçarja është në gjendje të rëndë në spital, ndërsa e motra me lehtë.
Ndërkohë dy ditë më parë një 18-vjeçar në fshatin Vlahën të rrethit të Hasit gjeti vdekjen si pasojë e shkarkimeve atmosferike. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Vlahën të rrethit të Hasit, kur shtetasi Rexh Muhadri, 18 vjeç, është goditur nga rrufeja dhe ka gjetur vdekjen. Kanë qenë banorët e fshatit, të cilët kanë konstatuar goditjen e 18-vjeçarit nga rrufeja, të cilët kanë informuar edhe komisariatin e policisë të rrethit. Në datën 17 maj të këtij viti rrufeja i merr jetën babait të dy fëmijëve, vdes në punë në fshatin fqinjë. Ka shkuar të punojë vetëm pak kilometra nga fshati i tij si punëtor ndërtimi, por është kthyer i vdekur në shtëpi. Viktima i identifikuar si shtetasi Kalem Coni 44 vjeç ka, shkuar për punë nga fshati Vashtëmi ku ai banon me familjen e tij në fshatin fqinj Vloçisht. Ai ishte duke punuar në oborrin e shtëpisë te një i njohur i tij, të cilit ishte duke i ngritur një mur. Reshjet e shumta të shiut nuk e kanë “bindur” 44-vjeçarin të lerë punën, duke vazhduar të punojë. Një shkarkesë e ardhur nga një rrufe e fortë e ka lënë të vdekur në vend punëtorin. Ai ka vdekur në sy të familjarëve ku kishte shkuar të punonte prej disa ditësh, duke i tmerruar ata.