Policia feston 95 -vjetorin, harrohen ish- drejtuesit
Presidenti nderon me "Medaljen e Mirënjohjes", Kryeministri shpreh mbështetjen e qeverisë
TIRANË- 95- vjetori i krijimit të policisë shqiptare është përkujtuar në dy aktivitete të veçanta, njëri i organizuar nga autoritetet e larta të shtetit, ku kanë marrë pjesë Presidenti dhe Kryeministrit, ndërsa tjetri i organizuar nga ish- drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, që janë lënë në harresë nga strukturat shtetërore dhe nuk kanë qenë të ftuar në ceremoninë e rastit. Në ambientet e Akademisë së Arteve, ish- drejtues të Policisë së Shtetit, të dalë në pension ose në lirim, kanë përkujtuar dje 95- vjetorin e policisë. Një ndër prej ish -drejtorëve që ka marrë fjalën ka qenë dhe Fadil Cani, i cili ndërsa ka folur për punën e policisë në vite, ka kritikuar vetëm periudhën e viteve '92-'97. Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë dhe ish- ministra të Rendit, si Luam Rama apo Petro Koçi. Nga ana tjetër, në ceremoninë e organizuar nga strukturat e shtetit, Presidenti Bamir Topi ka nderuar me "Medaljen e Mirënjohjes" Policinë e Shtetit me rastin e 95 -vjetorit të krijimit. Gjatë ceremonisë, kreu i shtetit ka folur për kontributin e dhënë nga policia, duke theksuar se medalja synon të nderojë punën e mirë të bërë nga policia. "Integrimi kërkon standarde të rendit", është shprehur dje Presidenti, ndërsa ka theksuar se, policia ka hedhur hapa para në përmbushjen e misionit të saj. Gjatë ceremonisë, presidenti ka kujtuar dhe të rënët në krye të detyrës dhe ka shtuar se, policia është instrument me të cilin të gjithë krenohemi. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili në fjalën e tij ka lëvduar policinë dhe punën e saj në kapjen e dhjetëra zyrtarëve të korruptuar. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria ka ardhur në pushtet me premtimin për rend, siguri dhe tolerancë zero ndaj krimit. "Sot Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në rajon", është shprehur Berisha, duke bërë të ditur edhe një herë mbështetjen e plotë të qeverisë për Policinë e Shtetit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. B. Sinani