E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, zjarri shkrumbon banesën 200-vjeçare

Shtëpia familjes Kalanderi, Monument Kulture i kategorisë së dytë, është djegur plotësisht nga shkëndija elektrike
GJIROKASTËR- Shtëpia 200-vjeçare e Kalanderit në qytetin e Gjirokastrës është shkrumbuar orët e vona të pasdites së djeshme, por fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz. Kjo pasi shtëpia e vjetër ishte e pabanuar. Rënia e zjarrit ka pezulluar për më shumë se një orë lëvizjet në aksin rrugor, ndërsa energjia elektrike ka munguar në të gjithë zonën, për të bërë të mundur shmangien e problemeve të tjera që mund të vinin nga djegia e shtëpisë por edhe kabllove elektrikë që ndodheshin pranë saj. Flakët e zjarrit kanë rrezikuar për disa minuta banorët e një pallati pranë shtëpisë 200-vjeçare ndërsa policia ka pohuar se shkaku i rënies së zjarrit në shtëpinë e klasifikuar si Monument Kulture i kategorisë së dytë është një shkëndijë elektrike.
***
Mësohet se zjarri ka rënë rreth orës 16.30 të pasdites së djeshme në banesën trekatëshe që ndodhet në lagjen "Varosh" të qytetit të Gjirokastrës. Kjo shtëpi 200-vjeçare aktualisht është e braktisur dhe prej vitesh aty nuk jeton asnjë njeri. Sipas informacioneve të para që ka bërë publike policia lokale, shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në kabllot elektrike të banesës. Por duke qenë se është e braktisur, fillimisht askush nuk e ka vënë re zjarrin Brenda shtëpisë. Flakët kanë nisur tek kabllot elektrike dhe me shpejtësi të madhe janë përhapur në të gjithë ambientet e shtëpisë së vjetër. Vetëm kur flakët e zjarrit kanë marrë përmasa të konsiderueshme, janë dalluar nga banorët e zonës. Këta të fundit kanë njoftuar menjëherë repartin zjarrfikës, efektivat e të cilit megjithëse kanë mbërritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes, nuk kanë mundur të lokalizojnë vatrën e zjarrit për shkak të përhapjes së madhe të flakëve.
***
Por, rreziku i djegies ka qenë mjaft i madh si për kalimtarët ashtu edhe për banesat e tjera rreth e rrotull, të cilat për shkak të strukturës së qytetit të gurtë ndodhen mjaft afër me njëra- tjetrën. Për këtë arsye, uniformat blu e kanë bllokuar për më shumë se një orë këtë aks rrugor, i cili lidh pjesën e poshtme me Pazarin Karakteristik, duke shmangur në këtë mënyrë rreziqet e mundshme që mund të krijoheshin. Po kështu, nga ana e filialit të KESH-it është ndërprerë energjia elektrike për të gjithë lagjen "Varosh' për të parandaluar përhapjen e flakëve të zjarrit në banesat përreth. Efektivave blu të repartit zjarrfikës u është dashur që të punojnë për më shumë se 90 minuta deri në shuarjen e plotë të flakëve të zjarrit, të cilat e kanë shkrumbuar pothuajse të gjithë godinën.
Banesa trekatëshe, e cila figuron në pronësi të Jani Kalanderit, ka një moshë rreth 200-vjeçare dhe mban statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së dytë. Për shkak të arsyeve të ndryshme qysh prej 20 vitesh shtëpia është lënë në harresë. Burimet zyrtare të policisë lokale pohuan se përgjatë gjithë orëve të darkës, efektivat zjarrfikës do të jenë në gatishmëri pranë banesës së djegur, pasi ekziston rreziku si i shembjes së plotë të saj, ashtu edhe ai i një shkëndije tjetër elektrike që mund të jetë me pasoja të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›