E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët: Maqedonia, viza për shqiptarët, kursen Serbinë

 
Nano dhe Godo kryesuan ekipet ndërmjetësuese, që dështuan të pajtonin shqiptarët
Diplomati: "Tirana manipuloi politikanët shqiptarë të Maqedonisë"
Diplomati i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në rrëfimin e tij për gazetën "Shekulli" nuk lë pa faj edhe faktorin politik shqiptar për gjendjen ku gjendet trajtimi ndaj shqiptarëve si në Maqedoni, ashtu edhe ndaj shqiptarëve të Shqipërisë.
"Për shumë faktorë, politikanët shqiptarë të Maqedonisë janë më të prapambetur politikisht se politikanët e Kosovës apo të Shqipërisë. Nëse në dy vendet e fundit ata arrijnë te kompromisi, për hir të faktorit kombëtar, te politikanët e Maqedonisë nuk ka ekzistuar kjo kulturë",- thotë diplomati.
Ai kujton vizitën e viteve '90 në Shkup, për t'u takuar me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Maqedonisë. Ata i kishin kërkuar një axhendë, ku delegacionet shqiptare duhej të vinin njëri pas tjetrit. Por ai kujton se kishte refuzuar t'i takonte veç e veç dhe pas qëndrimit të palëkundur, përfaqësuesit erdhën bashkë. "Në fund të takimit, njëri prej tyre më dha edhe njëherë dorën dhe më falenderoi, sepse ata ishin ulur bashkë për herë të parë".
Për nivelin e ulët të komunikimit politik mes partive politike shqiptare në Maqedoni, diplomati shqiptar, fajëson politikën e Tiranës, "Për fat të keq, politika e Tiranës e ka përdorur dhe instrumentalizuar politikën shqiptare në Maqedoni. Kështu ka ndodhur kur ishte Berisha në pushtet, pastaj Nano dhe sërish kur në pushtet është Berisha",- akuzon diplomati shqiptar.
Ndërmjetësimi
Se sa e rëndë është gjendja në marrëdhëniet njerëzore mes politikanëve shqiptarë në Maqedoni nuk e tregojnë vetëm rrahjet në Parlamentin e Maqedonisë, pak muaj më parë. Duke e ditur këtë gjendje nga Tirana disa herë kanë shkuar politikanë shqiptarë, për të ndërmjetësuar për pajtimin e tyre. Si negociator është përmendur ish-kryeministri Nano, i cili disa herë ka shkuar në Shkup, për të ulur bashkë në tavolinën e bisedimeve politikanët e ndarë shqiptarë të Maqedonisë.
Ekipi më i fundit negociator ishte ai i drejtuar nga politikani republikan, Sabri Godo. Ai, në krye të një ekipi të ngushtë figurash politike nga Tirana, ishte tetorin e shkuar për të ndërmjetësuar, por misioni dështoi. "Përçarja e politikanëve shqiptarë të Maqedonisë është një gur në dorën e nacionalistëve maqedonas, të cilët me pikat e errëta që kanë lënë te Marrëveshja e Ohrit, gjejnë momente për t'ua zvogëluar shqiptarëve peshën e tyre si etniteti i dytë në Maqedoni",- thotë diplomati.
Teksti i regjimit të vizave, si u justifikua futja e Shqipërisë në listën e 140 vendeve
Serbët nuk do të përfshihen nga regjimi i ashpërsuar i vizave të cilin vendos Maqedonia, edhe pse Serbia, në aspektin e integrimit në strukturat Euroatlantike ngec dukshëm në krahasim me Shqipërinë. Mos vendosja e Serbisë në "regjimin e vizave" është arsyetuar me një floskulë të papërmbajtshme. "Për Republikat e ish-Jugosllavisë nuk janë vendosur viza, për shkak se disa janë pjesë e BE-së, disa vende kandidate, ndërsa disa kanë nënshkruar Marrëveshje për Lehtësim të Regjimit të Vizave",- thonë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Partitë politike shqiptare në opozitë kanë reaguar ashpër kundër regjimit të vizave ndaj shtetasve shqiptarë që ka vendosur Qeveria e Maqedonisë, që do të hyjë në fuqi që nga 1 Shkurti i këtij viti. Ata këtë vendim e kanë quajtur si antishqiptar. Partitë e koalicionit qeveritar, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe Partia Liberale, kërkojnë rishqyrtimin e vendimit. LSDM-ja është e mendimit se banorëve të zonave kufitare duhet t'u lejohet marrja e vizave në kufi.
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Xhevat Ademi thotë se ky veprim, që në radhë të parë fyen, është veprim antidemokratik dhe veprim që është drejtpërdrejtë kundër klimës së fqinjësisë së mirë. "Ne dënojmë këtë veprim të njëanshëm. Ne distancohemi nga ky veprim i Qeverisë",- thotë Ademi.
Deputeti i LSDM-së, Igor Ivanovski supozon se ky vendim është pjesë e obligimeve që Maqedonia duhet t'i ndërmerr ndaj Bashkimin Evropian, por për çdo rast vlerëson se mund të bëhet kompromis. "Duke pasur parasysh se ekziston një numër i madh i qytetarëve të Shqipërisë që jetojnë në rajonet kufitare, atyre duhet t'u mundësohet marrja e vizave në vendkalimet kufitare",- thotë Ivanovski.
Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) kërkon nga Qeveria që në një mbledhje urgjente të anulojë këtë vendim. "Ky është vendim antishqiptar, sepse e vështirëson komunikimin ndërshqiptar, kur e kemi parasysh faktin se një e treta e popullsisë së Maqedonisë janë me përkatësi shqiptare",- thotë zëdhënësi i BDK-së, Sedat Demiri. Sipas tij, ky vendim bie ndesh me përcaktimet e vendeve të Kartës së Adriatikut, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia. BDK pyet se si është e mundur për qytetarët serbë të mos ketë viza, kur dihet se Serbia është shumë pas Shqipërisë në integrimet Euroatlantike.
Kryetari i PPD-së, Abdyladi Veseli thotë se situata e krijuar nuk është e volitshme. "Presim që në periudhën e ardhshme dhe në afat shumë të shkurtër, të takohen institucionet relevante të Maqedonisë dhe Shqipërisë, pse jo edhe në nivel të kryeministrave, që të zgjidhet problemi i vizave për shkak se kështu, në këtë mënyrë, humbin të dyja anët",- thotë Veseli.
Në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe në VMRO-DPMNE, pa koment, rreth vendimit më të ri të qeverisë. Ndryshe, qeveria vendimin e arsyeton me harmonizimin legjislaturës vendase me atë evropiane, që ka të bëjë me qëndrimin e shtetasve të huaj. Maqedonia që nga 1 Shkurti vendosi viza për 140 shtete. Më të prekur nga ky vendim janë shtetasit e Shqipërisë, e cila u befasua nga ky hap i qeverisë së Maqedonisë. Regjimi i vizave do të prekë edhe Kosovën pasi ajo të fitojë pavarësinë, meqë aktualisht qytetarët e Kosovës me pasaportat e UNMIK-ut mund të hyjnë në Maqedoni. Momentalisht, vetëm 50 shtete janë të liruar nga regjimi i vizave me Maqedoninë dhe ato janë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të gjitha 27 vendet e BE-së, Norvegjia, Islanda, Zvicra, Turqia, Izraeli, Zelanda e Re, Japonia dhe të tjera.
(Marrë nga gazeta "Lajm")
Maqedoni 2007, hynë rreth 220 mijë shtetas shqiptarë
Maqedonia do të pësojë një humbje të mëdha nga turizmi, pas rivendosjes së vizave me Shqipërinë. Gjatë vitit 2007 në Maqedoni kanë hyrë rreth 220 mijë shtetas shqiptarë, thuhet në një raport të Ministrisë së Rendit. Me një mesatare qëndrimi prej 4 ditësh dhe shpenzime ditore mesatarisht prej 50 euro, na rezulton se shtetasit shqiptarë kanë harxhuar për turizëm mbi 44 milionë euro në vit në Maqedoni.
Shqiptarët kanë kontribuar me 1/10 e të ardhurave të përgjithshme që ka përfituar Maqedonia nga turizmi gjatë vitit 2007.Vendosja e regjimit të vizave nga autoritetet e Shkupit do të dëmtojë kryesisht Maqedoninë dhe do t'i japë më shumë mundësi bizneseve në Pogradec dhe Korçë, që të tërheqin pushuesit vendor, bëjnë të ditur mediat në Tiranë. Maqedonia poashtu zë një vend kryesor sa i përket shkëmbimit tregtar me Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›