Elbasan, sherr me armë mes maturantëve
Sued Koka dhe një bashkëmoshatar i tij ka qëlluar drejt një automjeti ku ndodheshin Aldo Deliu e Armando Zeqaj
Sipas policisë, 19-vjeçari ishte goditur me mjete të forta pas mbrëmjes së maturës nga dy kundërshtarët
ELBASAN - Grinden në mbrëmjen e maturës, ndërsa sherri vazhdon me pistoletë në mes të qytetit. Katër të rinj janë përfshirë në një sulm të vërtetë me armë në mes të Elbasanit.
Pasi kishin pasur një konflikt gjatë mbrëmjes së maturës, për motivin banal "pse e pe atë", adoleshentët kanë menduar t'i zgjidhin fyerjet nëpërmjet armës, fatmirësisht pa viktima.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim 19-vjeçarin Sued Koka, ndërsa ndaj tij janë ngritur akuzat e "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë", në bashkëpunim, si dhe "armëmbajtjes pa leje".
Ngjarja
Në orët e vona të mbrëmjes së të martës, në afërsi të teatrit "Skampa" në kryqëzimin "Rinia", një i ri ka qëlluar me pistoletë në drejtim të një mjeti ku ndodheshin dy adoleshentë të tjerë.
Fatmirësisht, asnjë nga 5 plumbat e qëlluar nuk i ka prekur të rinjtë, të cilët janë larguar me shpejtësi në drejtime të ndryshme. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se drejt automjetit tip "Tojota" në të cilin udhëtonin Aldo Deliu, 20 vjeç, dhe Armando Zeqaj, 19 vjeç", ka qëlluar shtetasi Sued Koka, 19 vjeç, me banim në lagjen Shënkoll bashkë me një tjetër bashkëmoshtar, i cili mbetet ende i paidentifikuar. Në vendngjarje janë gjetur pesë gëzhoja, ndërsa policia ka shpallur në kërkim Sued Kokën.
Hetimi
Sipas policisë, gjithçka ka nisur gjatë mbrëmjes së maturës dhe më pas është zhvendosur në rrugë. Kështu, katër të rinjtë që nuk njiheshin më parë janë përballur gjatë mbrëmjes së zhvilluar nga shkollat e qytetit për përmbylljen e gjimnazit dhe diplomimin.
Përballja ka ndodhur pikërisht për një "shikim të gabuar". Djemtë janë grindur duke akuzuar njëri-tjetrin për "parjet", ndërsa më pas dy adoleshentët Deliu dhe Zeqaj, në rrugë kanë sulmuar me mjete të forta duke e goditur në kokë 19-vjeçarin Sued Koka. Nga ana e vet, ky i fundit ka vendosur të haakmerret. Ai ka gjetur një pistoletë dhe i ka zënë pritë dy adoleshentëve të cilët po udhëtonin me automjetin tip "Tojota" dhe ka qëlluar pesë herë në drejtim të tyre.
Fatmirësisht, asnjë nga plumbat e qëlluar nga arma nuk i ka dëmtuar dy të rinjtë dhe as kalimtarët që kanë qenë të shumtë në atë kohë. Kjo skenë ka zgjatur pak minuta, pasi dy të sulmuarit janë larguar me shpejtësi me mjetin e tyre dhe po kështu autori i të shtënave.
Policia e ka shpallur në kërkim 19-vjeçarin Koka, ndërsa janë shoqëruar disa të rinj për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë të regjistruar mbrëmjen e së martës. Po kështu në polici pritet të përfundojnë edhe të sulmuarit me armë, të cilët e kanë sulmuar fillimisht autorin, duke nxitur hakmarrjen e tij. Mësohet se akuzat e ngritura ndaj 19-vjeçarit janë "vrasje me dashje e mbetur në tentativë" e kryer në bashkëpunim, si dhe "armëmbajtje pa leje".