E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehen nga mbrëmja e maturës, humb jetën 18-vjeçari

Dy bashkëmoshatarë të viktimës që ndodheshin në një makinë me të ndodhen ende në spital në gjendje të rëndë


DURRËS - Ktheheshin nga mbrëmja e maturës, teksa kishin zgjedhur Durrësin për të festuar diplomimin e tyre, por përfundojnë të aksidentuar për shkak të shpejtësisë së lartë të mjetit me të cilin udhëtonin. Ngjarja ku janë përfshirë 3 maturantë nga Tirana ndodhi mëngjesin e së mërkurës ndërsa viktimë e përplasjes ishte drejtuesi i automjetit, 18-vjeçari Klajdi Nina.


Fatmirësisht kanë shpëtuar dy adoleshentët e tjerë që ndodheshin në makinë, të cilët janë nën vëzhgimin e mjekëve në spitalin e Durrësit. Sipas policisë, aksidenti vdekjeprurës ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës në aksin rrugor Tiranë-Durrës pikërisht tek mbikalimi Ura e Dajlanit.


Drejtuesi i automjetit me targa TR 4241, Klajdi Nina, 18 vjeç, duke drejtuar mjetin e tij tip "Alfa Romeo", mjet që kishte kaluar rreth 160 km në orë sipas specialistëve të qarkullimit rrugor, ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rruge duke u përplasur me trafikndarëset.


Për pasojë janë aksidentuar rëndë tre të rinjtë që ndodheshin në automjet, të cilët janë transportuar menjëherë për në spitalin e Durrësit. Si pasojë e plagëve të shumta drejtuesi i automjetit, Nina, nuk ka mundur të shpëtojë duke gjetur vdekjen në sallën e kirurgjisë vetëm 30 minuta pas mbërritjes.


Ndërsa në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhen dy bashkudhëtarët e tjerë, që po udhëtonin pas festimit me viktimën. Sipas policisë, të lënduarit janë: M. D, si dhe Amarildo Lamaj.


Ata janë shoqëruar dhe ndodhen nën kujdesin mjekësor në spitalin rajonal të Durresit Të tre shtetasit ishin shokë klase maturantë dhe ndodheshin në Durrës për të festuar. Grupi hetimor i mbërritur në vendin e aksidentit tragjik konstatoi se aksidenti kishte ndodhur si rezultat i shpejtësisë së madhe me të cilën po udhetonte mjeti, por edhe si rezultat i pagjumësisë së drejtuesit, i cili mund të jetë përgjumur, çka ka bërë që automjeti t'i dalë nga kontrolli e të përplaset me trafikndarësen.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›