E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësohen 5100 rrënjë kanabis, 3 në pranga

FUSHË-KRUJË - Rreth 5100 rrënjë bimësh të dyshuara si të llojit "kanabis sativa" janë gjetur në rrethinat e zonës së Niklës dhe më pas janë asgjësuar nga forcat e policive të 3 rretheve. Kanë qenë orët e vona të pasdites së të martës kur njësi të shumta policore kanë zbarkuar në Nikël, një fshat në afërsi të Tiranës vetëm 5 km rrugë ajrore, por që i përket rrethit të Krujës dhe këtu kanë hyrë në një zonë pylli që nuk kishte pronar. Pasi kishin marrë informacion paraprak edhe për të dyshuarit e mundshëm si pronarë të drogës ende të gjelbër, forcat e policisë kanë bërë shkuljen e bimëve të shumta që kishin kaluar gjatësinë 2 metër, dhe ndërkohë kanë realizuar edhe 3 arrestime për të dyshuarit, emrat e të cilëve janë mbajtur sekret për arsye hetimore. Sipas policisë, rreth orës 18:00 të së martës ka filluar realizimi i plan-operacionit të koduar "Topografi". Blutë bëjnë me dije se prej kohësh po ndiqnin në rrugë operative kontigjentet e mundshëm të mbjelljes e trafikimit të kësaj lloj droge.


Humb jetën aksidentalisht elektricisti


SHKODËR - Ka humbur jetën aksidentalisht ndërsa bënte rilidhjen e energjisë elektrike të fshatit, një 50-vjeçar nga Bajza e Malësisë së Madhe, me profesion elektricist. Pjerin Rushaj, 50 vjeç, pasditen e së martës ka shkuar tek shtylla e tensionit të lartë në fshatin Rrëzë e Vneshtit në komunën e Kastratit për të bërë rilidhjen e energjisë elektrike. Siç bëhet e ditur nga banorë të kësaj zone, punimet për linjën e interkonjuksionit Tiranë- Podgoricë, bëjnë që gjatë ditës energjia elektrike për zonat nga kalon linja të stakohet, me qëllim mbrojtjen e punëtorëve.


Ndërsa pasdite, punonjësit e KESH-it shkojnë dhe bëjnë takimin e linjave të stakuara duke risjellë furnizimin me energji elektrike deri në mëngjes. Ky veprim bëhet çdo ditë prej disa javësh dhe në pasditen e djeshme rreth orës 18:50, elektricisti i zonës, Pjerin Rushaj, ka shkuar tek shtylla e tensionit të lartë për të bërë rilidhjen e furnizimit me energji elektrike të fshatit.


Por aty, aksidentalisht, ai ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, nga shkarkimi i së cilës ka rënë nga shtylla në tokë pa ndjenja. Megjithëse personat e tjerë që kanë qenë aty afër janë përpjekur t'i japin ndihmën e parë dhe e kanë nisur me shpejtësi për në spitalin e Shkodrës, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë rrugës. Policia po kryen veprimet hetimore dhe paraprakisht thuhet se shkaku i vdekjes së Rushajt ka qenë shkarkesa elektrike e tensionit të lartë e ardhur aksidentalisht nga pakujdesia e vetë viktimës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›