E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna e ushtruar në komisariat, pezullohet komandanti i Tepelenës

Argjir Çela është pezulluar nga puna pas denoncimit të një shtetasi i cili përfundoi në spital për shkak se ishte rrahur


TEPELENË - Dhuna e ushtruar një javë më parë në komisariatin e Tepelenës ndaj një shtetasi ka bërë që të merren edhe masa ndaj autorëve të saj. Kështu, pas denoncimit 49-vjeçarit Bexhet Serjani se ishte rrahur në mënyrë shtazarake nga punonjës të policisë, mbërritja e organeve të SHKB-së (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm) dhe hetimi i tyre ka çuar në marrjen e vendimit për pezullimin nga puna të komandatit në komisariatin e Tepelenës, Argjir Çela. Ai është pezulluar me urdhrin e drejtorit të policisë së qarkut të Gjirokastrës, Arben Hyseni, për t'i hapur rrugë organeve të drejtësisë të hetojnë për këtë çështje.


Gjithashtu, i ndëshkuar ka qenë edhe shefi i komisariatit të policisë së Tepelenës, Enver Meçe. Pas hetimeve dhe dëshmive si nga i dhunuari, ashtu dhe nga pjesëtarë të tjerë të policisë, ka rezultuar se ai ka qëndruar indiferent në kohën që Çela ushtronte dhunë mbi Serjanin.


Nga ana e drejtorit Hyseni për të është dhënë masa e "paralajmërimit për përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit". Mosveprimi i tij në momentet e dhunës dhe aq më tepër kur kjo dhunë u ushtrua në ambientet e policisë, ka sjellë reagimin më të ashpër karshi një funksionari të policisë së Gjirokastrës gjatë dy viteve të fundit. Ndërkaq, edhe dy policët e shërbimit të gjendur në ditën e dhunës së ushtruar kanë marrë masa administrative duke u hequr rrogën e dy muajve.


Reagimi i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës vjen në një kohë kur organizmat të akredituara në Gjirokastër, si: Komiteti Shqiptar i Helsinkit apo dhe përfaqësitë ndërkombëtare kanë reaguar për këtë çështje të paprecedentë kur qytetari dhunohet fizikisht në ambientet e policisë deri në një masë sa t'i rrezikohet edhe jeta.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›