E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defektet, Vlora mbetet pa ujë të pijshëm

Një problem në instalimin e linjës së re 20 kw në qytetin bregdetar ka çuar në ndërprerjen e funksionimit të pompave të ujit


Drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit u shpreh se shpresonte në një riparim të plotë në mbrëmje të defektit


VLORË - Tentativa për të vendosur linja komplet të reja ka çuar në ndërprerjen e energjisë në shumë zona të qytetit të Vlorës, Orikum e Zvërnec, ndërsa një gjë e tillë ka çuar edhe në mungesën e ujit të pijshëm. Sipas burimeve, bëhet e ditur se gjithçka ka qenë për shkak të një defekti në linjat e tensionit të lartë, e cila ka ndërprerë edhe furnizimin me ujë pothuajse në të gjithë qytetin e Vlorës.


Një lajm i tillë konfirmohet edhe nga përfaqësues të ndërmarrjes së ujësjellësit, por edhe nga burime nga ndërmarrja e OSSH-së për Vlorën. Bëhet e ditur se megjithëse punonjës të OSSH-së së degës së Vlorës, inxhinierë të kësaj ndërmarrjeje, shoqëruar edhe me inxhinierë të ndërmarrjes së ujësjellësit që prisnin riparimin e defektit të linjës, kanë punuar gjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme defekti nuk ishte riparuar.


I kontaktuar përmes telefonit, drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit të Vlorës, Viron Hysi, u shpreh se gjatë orëve të mbrëmjes pritej që defekti në energjinë elektrike të riparohej plotësisht e më pas të viheshin në punë pompat e ujit. Vënia në funksionim e tyre do të premtojë, sipas tij, rivendosjen e normalitetit në furnizimin me ujë te popullata e Vlorës.

Ndërprerjet e ujit dhe energjisë nuk kanë kaluar pa shqetësim te pushuesit e sapoardhur në bregdet. Në ditën e parë të mbërritjes për të kaluar pushimet këtë 15-ditësh korriku, ata janë gjendur përballë mungesës së energjisë dhe ujit, të cilat nuk kanë ditur si t'i shpjegojnë.


Gjithashtu ankesa ka pasur edhe nga bizneset, sidomos zona e Ujit të Ftohtë, e prekur direkt nga defekti në linja, ku lokalet nuk kanë pasur energji elektrike për një periudhë të gjatë kohe çka ka çuar në uljen e fluksit të menjëhershëm të pushuesve të kësaj zone.


Mungesa e energjisë elektrike, sidomos në periudhën paszgjedhore është një problem që vijon në qytetin e Vlorës. Javën e kaluar një rrufe u "fajësua" për djegien e dy transformatorëve të mëdhenj.


Porti i këtij qyteti qëndroi për pesë ditë pa energji elektrike nën mëshirën e gjeneratorëve, ndërsa tashmë pritet vendosja e linjës 20-kilovatëshe. Duket se pikërisht punimet në këtë linjë tërësisht të re, duke nxjerrë nga funksioni të vjetrën ka çuar edhe në defektin që ka lënë pa energji disa zona të Vlorës, dhe pa ujë të pijshëm pothuajse të gjithë qytetin. Të pyetur lidhur me këtë problem, përgjegjësit e OSSH-së nuk kanë pranuar të prononcohen.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›