E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikt për pronën plagoset 50-vjeçari

SHKODËR - Konflikti për pronësinë e rrugës së kalimit mes dy shtëpive ka sjellë plagosjen e lehtë të një 50-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 në lagjen "Kiras".


Sabri Gruda është plagosur lehtë në këmbë me armë gjahu nga fqinji i tij Enver Kryeziu, 43 vjeç. Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, Sabri Gruda ka shkuar në shtëpinë e fqinjit të tij dhe ka debatuar lidhur me rrugën e kalimit që ndodhet përpara banesës së familjes Kryeziu, por që Gruda prej kohësh e përdorte si dalje nga banesa e tij.


Mësohet se i dëmtuari ka shkuar në banesën e fqinjit të tij dhe e ka sharë e fyer me fjalë të rënda familjen Kryeziu. Kjo ka bërë që 43-vjeçari të marrë një armë gjahu që e kishte në proces të marrjes së lejes dhe të qëllojë mbi Grudën, duke e plagosur atë lehtë në këmbë.


Ky i fundit është dërguar në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka ndaluar Kryeziun, i cili është vetëdorëzuar, ndërsa në banesën e të dëmtuarit Sabri Gruda është gjetur një armë zjarri automatik kallashnikov që ky e mbante pa leje dhe me të cilën kishte kanosur disa herë fqinjin e tij. Policia ka bërë edhe ndalimin në mjediset e spitalit të Sabri Grudës me akuzën e "armëmbajtjes pa leje".

-----------------------------------------------------

PËRMET - Policia lokale e Përmetit ka ndaluar në flagrancë një shtetas, pasi në orët e para të ditës së mërkurë ai qëllimisht ka djegur kasollen e bagëtive të bashkëfshatarit të tij S.K, duke vënë në rrezik jetën e banorëve të fshatit Vinokash. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastrës pohuan se Artan Shehaj, 37 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vinokash, rreth 15 kilometra larg qytetit të


Përmetit është ndaluar rreth orës 03:00 nga policia lokale, pasi ka djegur plotësisht të gjitha materiale e bazës ushqimore të bagëtive të shtetasit S.K.. I dëmtuari së bashku me banorët e fshatit kanë mundur të shpëtojnë bagëtitë dhe banesën nga flakët, por fatkeqësisht janë djegur 30 pula e një qen.


"Nga veprimet hetimore, por edhe nga dëshmitë e marra nga familjarët dhe bashkëfshatarët rezulton se ky shtetas vuante nga depresioni", shprehen burimet e policisë. Aktualisht, agresori ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Përmetit dhe ndaj tij është ngritur akuza e "shkatërrimit të pronës me zjarr". E.B.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›