E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, shtohen rastet e pickimeve nga gjarpri dhe insektet

Të tjera raste të pickimit nga gjarpri janë shënuar kësaj here në qytetin e Elbasanit. 10 raste janë paraqitur në spitalin Kirurgjik të qytetit, nga ku mësohet se ndër ta më së shumti fëmijë. Gjendja e të pickuarve paraqitet jashtë rrezikut për jetën. 

ELBASAN- Shtohen rastet e pickimit nga gjarpri dhe insektet helmuese, kësaj here në rrethin e Elbasanit. Në spitalin Kirurgjik të qytetit kanë përfunduar në gjendje kritike për jetën të paktën 10 fëmijë, pjesa dërrmuese e tyre janë paraqitur me simptomat e pickimit nga gjarpërinjtë, por edhe insektet helmuese siç janë akrepi dhe merimanga.

Gjatë ditëve të fundit situata është përkeqësuar së tepërmi dhe numri i personave nga pickimet helmuese është shtuar me ritme shqetësuese.

Njëri nga fëmijët shprehet se “isha duke kthyer bagëtinë, pa dashje e shkelu dhe mu mblodh në këmbë, i ngrita këmbën lartë dhe e hodha. Për momentin nuk e ndjeva por më pas vura re se më kishte pickuar”- shprehet .

Sipas burimeve spitalore mësohet se të gjitha rastet e paraqitura ndër ta më së shumti fëmijë janë jashtë rrezikut për jetën.

“Kujdesi mjekësorë ka qenë i plotë, medikamentet janë të pranishme pasi ne jemi përgatitur për një situatë të tillë qysh në pranverë duke menduar për një verë të nxehtë. Në rast se kafshohen nga gjarpri apo nga insektet helmuese gjëja e parë që duhet të bëhet është të paraqiten pranë qendrave mjekësore të marri ndihmën e shpejtë ku infermiera duhet të përdorë medikament kortizonikë për të mos rënë në gjendje shoku. Metodat që janë përdorur më parë nuk janë më të këshillueshme pasi shtojnë komplikacionet”- shprehet njëri nga mjekët e spitalit Kirurgjik të Elbasanit.

Në krahasim një vit më parë numri i rasteve të shtruara nga pickimi i insekteve dhe gjarpërinjtë është në rritje dhe rasti i ditëve të fundit kanë qenë mjaft të komplikuara.

Një rast i ngjashëm ishte dhe vdekja e 5 vjeçarit nga Korça si pasojë e pickimit nga gjarpri, rast i cili çoi në pranga një mjek në spitalin e Korçës dhe tre infermiere. Vogëlushi u pickua nga gjarpri ndërsa bashkë me të afërm të tij shkonte për tu larë në rezervuar. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›