E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: “Beogradi dirigjon incidentet në Veri, ndërkombëtarët të reagojnë”

“Serbia duhet të ndalë sjelljen konfliktuale ndaj fqinjëve të vet”. EULEX-i, i gatshëm të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi të rendit dhe ligjit

Blerina Olldashi
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, konsideron se incidentet në veri të vendit janë të dirigjuara nga Beogradi dhe për këtë duhet ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare. “Incidentet e fundit në veri të vendit janë të dirigjuara drejtpërdrejt nga Beogradi, ndaj nevojitet një presion i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare që Serbia ta ndalë sjelljen konfliktuale ndaj fqinjëve të vet”,-deklaroi Sejdiu gjatë një takimi që pati me ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler, i cili përfundon detyrën këto ditë. Presidenti Sejdiu falënderoi ambasadorin Pflander për punën e tij në Kosovë, si dhe për mbështetjen e përhershme që Austria i ka dhënë Kosovës, duke shfaqur bindjen se marrëdhëniet midis dy vendeve do të jenë gjithnjë e më të mira. Incidentet e shkaktuara në pjesën veriore të Mitrovicës janë dënuar edhe nga misioni i BE-së në Kosovë, EULEX. Nëpërmjet një kumtese, EULEX-i thekson se në këto incidente janë lënduar disa njerëz, si dhe mbi forcat e EULEX-it dhe atyre të KFOR-it janë hedhur dy bomba dore.
EULEX-i u ka bërë thirrje qytetarëve të dy bashkësive për përmbajtje, duke vënë në pah se zgjidhja e problemeve në këtë pjesë të Kosovës varet nga të dyja palët dhe ajo duhet të bëhet përmes dialogut. “EULEX-i është i gatshëm të reagojë ndaj çfarëdo kërcënimi ndaj rendit dhe ligjit”, - theksohet midis të tjerash në kumtesë. Pjesëtarët e EULEX-it dhe të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës kanë përdorur dy ditë më parë gazin lotsjellës ndaj protestuesve serbë, të cilët kundërshtojnë vendimin e shqiptarëve për fillimin e rindërtimit të shtëpive të tyre në këtë pjesë. Gjendja është tensionuar në fund të javës së kaluar, pas fillimit të rindërtimit të 5 shtëpive të shqiptarëve në zonën e dominuar me serbë në qytetin e ndarë verior të Kosovës. Në mbështetje të policisë kanë ardhur edhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it. Nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Ismajl Smakiqi, ka thënë se procesi i rindërtimit do të vazhdojë pavarësisht kundërshtimit të serbëve. Ai ka shprehur vendosmërinë e pushtetit lokal dhe institucioneve qendrore për kthimin e të gjithë të zhvendosurve në pronat e tyre, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

60 familje serbe do të kthehen në Kosovë

Thirrjes së qeverisë së Kosovës për kthimin e serbëve në Kosovë, i është përgjigjur vetëm një numër i vogël qytetarësh serbë. Kështu bënë të ditur përfaqësuesit e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, UNHCR. Në fushatën për kthim është angazhuar edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete e Kosovës, por deri tani dëshirën për t’u kthyer e kanë shfaqur vetëm 60 familje. Qeveria ka bërë disa apele për kthimin në Kosovë për banorët serbë të Kosovës, të cilët prej vitesh jetojnë në qendra kolektive, apo vende të tjera në Serbi. UNHCR ka filluar një proces regjistrimi për familjet serbe që dëshirojnë të kthehen në Kosovë. Por kjo organizatë thotë se ka shumë pak interesim për kthim. Askush nga 400 serbët e shpërngulur kosovarë, që jetojnë në një qendër kolektive strehimi në Kraleve, nuk ka shprehur dëshirën për kthim në Kosovë. Ka shumë serbë të cilëve iu janë ndërtuar shtëpi të reja në Kosovë, por ata preferojnë më mirë jetesën në qendra kolektive, sesa kthimin.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›