Elbasan, varroset gruaja e mbytur, polumbarët në kërkim të vajzës
Dy persona të një familjeje në Grekan të Elbasanit janë mbytur natën e së dielës në lumin e Devollit. Ndërsa 45 vjeçarja Selime Capja është varrosur dje në drekë, vazhdojë kërkimet për gjetjen e vajzës 8 vjeçare, Xhirxhina. Polumbarët e RENEA -s, vazhdojnë kërkimet përgjatë lumit Devoll, për të gjetur trupin e pajetë të 8 vjeçares Xhirxhina Çapja, e mbytur bashkë me nënën e saj.
Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se që në orët e para të mëngjesit të së dielës e gjatë ditës së djeshme, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të pajetë të 8 vjeçares. Fshatarëve të fshatit Grekan në Komunën Grekan, u janë bashkuar edhe polumbarët e RENEA- s të cilët po përshkojnë të gjithë lumin deri në gjetjen e vajzës. Ngjarja tragjike me pasojë vdekjen e dy shtetaseve, nënë e bijë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në lumin Devoll, kur shtetasja Selvije Çapja, bashkë me dy fëmijët e saj XH. Ç., 8 vjeçe, dhe A. Ç., 6 vjeç po kalonin lumin Devoll për në anën tjetër për të shkuar tek të afërmit e saj në fshatin Mollas. Nga kjo tragjedi ka shpëtuar vetëm djali 6 vjeçar, i cili ka mundur të dalë nga lumi me ndihmën e një fshatari i cili kalonte rastësisht. Ndërsa 45 vjeçarja Selvije Çapja bashkë me vajzën e saj janë përfshirë nga rrjedha e lumit. Vetëm pas tre orësh mbasi ka ndodhur ngjarja është gjetur trupi i pajetë i 45 vjeçares, ndërsa ende nuk është gjetur trupi i 8 vjeçares.