Elbasan, vazhdon protesta

Banorët në protestë
Banorët e Komunës së Bradasheshit kanë vazhduar rezistencën e tyre nëpërmjet protestës duke mos lejuar vazhdimin e punimeve të firmës së për segmentin e autostradës Elbasan-Tiranë. Forca të shumta të policisë dhe të FNSH kanë tentuar të ndalojnë banorët përballë mjeteve që sërish nuk janë lejuar të vazhdojnë punën. Banorët kanë reaguar të revoltuar madje ka pasur edhe incidente të tilla si rënie të fikti të grave protestuese dhe reagim ndaj lëvizjes së mjeteve të firmës.
Ata vazhdojnë ti qëndrojnë kërkesave të tyre për ringritjen e komisionit të vlerësimit të tokës dhe futjen në listën e dëmshpërblimeve edhe të pemtarisë. Ndërkohë kreu i Drejtorisë së Shpronsimeve pranë Ministrisë së Ekonomisë, Abedin Muça, tha se është duke u vlerësuar mundësia për rishikimin e çmimit. Ai theksoi se nëpërmjet dokumentacionit banorët mund të paraqiten me një llogari bankare dhe më pas do të marrin paratë. Sipas tij një pjesë e familjeve janë në proces regjistrimi dhe është kërkuar të përshpejtohen procedurat pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Elbasan, që ata të kenë mundësi të marrin kompensimin.
Tri fshatrat në protestë kanë vazhduar të kërkojnë rishikimin e çmimit të tokës, futjen në kompensim të prodhimeve dhe pemtarisë dhe pagesat para se të fillojë puna për rrugën. Ata kanë deklaruar se çdo ditë do të jenë në tokat e tyre duke mos lejuar firmën të vazhdojë punimet. Njëkohësisht kanë paralajmëruar edhe bllokimin e rrugës nëse nuk ka një përgjigje të plotë për të gjitha kërkesat e tyre. Nga shpronësimet për ndërtimin e autostradës Elbasan-Tiranë preken 600 familje. /B.Nergjoni/