Elbasan, vidhet shtëpia e emigrantit, autori lirohet për të shitur mallin
Rast i paprecedentë i policisë së qytetit të Elbasanit. Një 25 vjeçar është ndaluar për disa orë si i dyshuar për vjedhje, më pas është lënë duke i krijuar premisë që të shesë pa u trazuar mallin e vjedhur. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë në lagjen Hekurudha, teksa në mesnatë është hapur me forcë dera e apartamentit të një emigranti në këtë lagje.
Burime jozyrtare, por tepër të sigurta bëjnë të ditur se banesa e shtetasit L. Jashari, që jeton dhe punon aktualisht familjarisht në shtetin anglez, është hapur me leva në mesnatën e dy netëve më parë dhe prej andej janë marrë të gjitha bizhuteritë dhe disa orë të shtrenjta. Vetë pronari i saj, L. Jashari ka kontaktuar me telefon duke shpjeguar se autori është ndaluar nga policia dhe pasi është mbajtur për rreth gjashtë orë i shoqëruar, është lënë i lirë për mungesë provash. Unë dyshoja që banesa imë është vjedhur nga një fqinji im që ka moshën e 23-25 vjeçare, por emrin nuk pranoj që ta publikoj, vetëm për të mos prishur punë në hetimet e policisë, ka pohuar Jashari. Sipas tij, një ditë më pas autori ka shëtitur në qytet me orët e dorës varur dhe bizhuteritë e florinjta për ti shitur sa më lirë. Për koincidencë, autori i ka ofruar edhe nipit tim, pa e ditur se kush është, dy prej orëve të shtrenjta të grabitura si dhe disa varëse prej floriri, ka pohuar Jashari, duke shtuar se ne me të vërtetë jemi emigrantë, por duhet të ndjejmë të njëjtën përkujdesje dhe seriozitet nga organet policore, sikur të ishim aty!