E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, kapet me 4 gramë marijuanë në makinë, ndalohet i riu

Arrestohet një i ri për 4 gram drogë. Në orët e mbrëmjes së të mërkurës, specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Armand Mamo, 21 vjeç nga Gjirokastra. Burimet zyrtare policore konfirmojnë për gazetën SOT se arrestimi i të riut është kryer në kthesën e Jorgucatit, në kufirin ndarës administrativ mes Gjirokastrës dhe Sarandës. Punonjësit e Policisë, pjesëtarë të postbllokut policor ngritur në këtë zonë, në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për këtë shtetas, ushtruan një kontroll në automjetin që drejtohej nga ai tip Mercedez Benz me targa GJ 4183 A. Si rezultat i këtij kontrolli, policia ka gjetur në pjesën e brendshme të kabinës së automjetit sasi lëndësh narkotike në formë gjetheje. Kjo lëndë narkotike ishte fshehur nga i arrestuari poshtë tapetit të këmbëve të krahut të shoferit. Njëkohësisht gjatë kontrollit të mjetit në pjesën pas levave të marsheve, e cila shërben për të mbajtur sende të ndryshme, policia ka gjetur një paketë cigareje e markës Winston ku veç cigareve u gjet edhe një cigare e dredhur me letër të bardhë marijuanë. Lloji i lëndës narkotike të gjetur nga policia nuk i kalonte katër gramët. Nga ana e vet policia ka kryer të gjitha veprimet proceduriale duke arrestuar në flagrancë Mamajn për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›