Elbasan, zjarri kërcënon banorët e Balzës

Foto ilustruese
Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë në mesditë kodrat e fshatit Balëz në afërsi të fabrikës së çimentos në Elbasan. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrfikëset, por e kanë patur të pamundur ti afrohen vatrës aktive për shkak të terrenit të thyer kodrinor.
Flakët kanë shqetësuar banorët e zonës pasi kanë qenë shumë afër shtëpive të banimit duke rrezikuar edhe djegien e tyre. Zjarrfikëset janë pozicionuar në zonën ku ndodheshin shtëpitë për fikjen e zjarrit pasi terreni konsiderohet i vështirë. Flaka ka shkrumbuar sipërfaqe të mëdha me shkurre dhe disa rrënjë me pisha. Për fikjen e zjarrit u angazhuan edhe banorë të zonës. Zjarri ka vazhduar për disa orë dhe vetëm me ndërhyrjen me mjete rrethanore është fikur.
Ndërkohë policia nisi hetimet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit. vetëm një orë më pas agjentët kanë ndaluar një shtetas nën akuzën e zjarrvënës. A. Gjoni me banim në fshatin Balëz do të duhet të përgjigjet për akuzën e ngritur nga policia. Dyshohet se ai ishte duke djegur disa mbeturina në anën të shtëpisë dhe më pas nuk ka mundur ta kontrollojë. /B.Nergjoni/