Ferizan Durda: Do bëjmë vetëgjyqësi për Gërdecin
Kater vjet nga tragjedia e 15 marsit, kreu i Shoqatës së Viktimave të Gërdecit, Feruzan Durda në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, tregon se durimi po soset dhe se një ditë familjarët e viktimave nëse nuk marrin drejtësi, do të kalojnë në vetëgjyqësi.
Durda e quan vendimin e gjykatës një tallje të shtetit dhe drejtësisë me viktimat dhe familjet e tyre, për shkak se në asnjë moment në vendim nuk janë përmendur njerëzit që u vranë atë ditë. Ai shton se vendimi i gjykatës ishte i shpifur, pasi nënkupton se 26 personat që u vranë dhe 300 të tjerët që u plagosen, vdiqën si rezultat i shembjes së një muri dhe jo e veprimeve kriminale të bëra në punishten e Gërdecit. Feruzan Durda paralajmëron se shumë shpejt Shoqata e Viktimave të Gërdecit do zhvillojë protesta para Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Apelit, me qëllim që këto institucione të zgjohen dhe të japin drejtësi për këtë çështje.
“Në rast se nuk arrijmë të marim drejtësi, atëherë familjarët do kalojnë në vetëgjyqësi. Shteti dhe fajtorët po tallen me viktimat tanë. Dhe për këtë ne shumë shpejt do organizohemi për të zhvilluar një protestë para Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Apelit, në mënyrë që këto institucione të zgjohen dhe të japin drejtësi”- deklaron Durda, që humbi djalin e tij 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit.