E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhën me dhunë, pranga 2 studentëve

Nga Entela Bani

Dy studentë të universitetit Eqrem Çabej në qytetin e Gjirokastrës janë arrestuar pasi rezultojnë të jenë autorët e një grabitjeje të dhunshme. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 4 dhjetorit të vitit të kaluar në një banesë në lagjen Granicë të qytetit të Gjirokastrës.

Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se 20-vjeçari Bekim Lekaj, lindur dhe banues në Tropojë, student në vitin e dytë ekonomik dhe Eduart Ndoca, 22 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë, student në vitin e tretë të degës Matematikë- Fizikë, janë futur nëpërmjet derës së ballkonit në banesën e shtetases M.Ç. në lagjen Granicë dhe pasi e kanë dhunuar fizikisht këtë shtetase, i kanë vjedhur asaj tre unaza floriri, një varëse floriri si dhe tre aparate celulari.

Zbulimi i kësaj ngjarjeje u bë si rezultat i një pune profesionale hetimore, gjurmuese dhe zbuluese, nga ana e specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit, duke përdorur edhe metodat speciale të hetimit, informacionet e grumbulluara në rrugë operative si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Gjithashtu nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Bekim Lekaj është autor i vjedhjes së mencës së konviktit  të  djemve  të universitetit Eqerem Çabej,  ngjarje e ndodhur më datën 09.02.2011, ku ky shtetas  ka vjedhur sende ushqimore e paketa me cigare- thuhet në komunikatën zyrtare për shtyp.

Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim është vepra penale që rëndon mbi dy të rinjtë, ndërsa është bërë  rifillimi i hetimeve për veprën penale të Vjedhjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›