E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, zjarri rrezikon teatrin “Skampa”

 

ELBASAN – Zjarri rrezikon djegien e teatrit “Skampa” në Elbasan. Një vatër e fuqishme u provokua dje, pasi u përfshi nga flakët një grumbull mbeturinash që ndodheshin në një oborr të braktisur të një shtëpie të vjetër. Zjarri, i cili ka rënë rreth mesditës e që ka vazhduar për disa orë ka mbuluar me tym të gjithë hapësirën e bulevardit kryesor, duke përhapur panik në rrallët e kalimtarëve dhe personave, të ulur në lokalet aty pranë. Siç mësohet, me dhjetëra qytetarë kanë njoftuar repartin e zjarrfikëseve, por ndërhyrja e tyre ka munguar. Sipas tyre, për shuarjen e flakëve në vendet ku hidhen mbeturinat duhet të kujdeset Bashkia e Elbasanit dhe jo reparti i Mbrojtjes Kundër Zjarrit. Por, brenda një kohe të shkurtër, zjarri ka rrezikuar të përfshijë dhe teatrin “Skampa”, godina e të cilit ndodhet afërsisht pesë metra larg nga vendi i flakëve. Po ashtu, në afërsi me vatrën e zjarrit dhe që rrezikoheshin ishin dhe dy shtëpi e një objekt ku shitet shtypi i përditshëm. Përballë faktit se flakët po përhapeshin në përmasa të frikshme dhe me mjete rrethanore nuk arrihej izolimi e shuarja e tij është kërkuar ndërhyrja urgjente e zjarrfikësve. Ata janë afruar me mjete të specializuara për shuarjen e zjarrit, rënë në mes të Elbasanit. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›