E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lakrori: Të korrigjohen defektet e zgjedhjeve në PS

 

Kandidati për kreun e PS-së, Maqo Lakrori, pas shpalljes së rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, i kërkoi dje përmes një konference për shtyp Komisionit Zgjedhor në PS që të korrigjojë të gjitha ato defekte që u vunë re gjatë procesit të votimit.  “I kam kërkuar Komisionit Zgjedhor të PSSH, që të analizojë hollësisht dhe me vëmendjen e nevojshme gjithë periudhën zgjedhore 4-javore, përfshirë edhe rezultatet për çdo qendër votimi, me qellim që, bazuar në të dhëna konkrete, të korrigjohen mangësitë e shfaqura gjatë këtij procesi, e që janë produkt i pasioneve kalimtare, interesave të çastit dhe i mungesës së imunitetit të duhur ndaj sëmundjeve elektorale që vuan ende shoqëria shqiptare në përgjithësi”, tha Lakrori dje në përfundim të procesit të numërimit të votave në PS. Kandidati për kreun e PS-së e konsideroi këtë proces dhe projektin e tij si nisjen e një procesi që do të vërtetojë se cili nga dy projektet i duhej PS-së për t’u ringritur pas humbjes së 28 qershorit dhe sfidave të tjera elektorale. “Edhe pse në një kohë shumë të shkurtër (vetëm 4 javë), edhe pse nën një trysni gjithëfarëshe dhe gjithanëshe penguese, projekti ‘Socialistët e bashkuar’ filloi udhën pa kthim prapa dhe sot nuk është me një projekt personal, ashtu si 30 ditë më parë, por ka mbështetjen e shprehur me votë të 3714 anëtarëve dhe anëtarëve të PSSH-së. Madje, jo vetëm kaq, por ky projekt po gjen çdo ditë e më shumë edhe mbështetjen e mjaft përkrahësve të PS-së dhe progresistëve të tjerë shqiptarë”, u shpreh Lakrori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›