Arben Puto: Duhet kohë për të analizuar ‘97-ën
Alma Mile
Nuk është dakord, jo vetëm me ngjyrimet politike, por edhe me metodologjinë e punës. Akademiku, prof. Dr. Arben Puto, një nga historianët më të njohur shqiptarë shpreh rezervat e tij në lidhje me mënyrën e hartimit të tekstit të Historisë së Popullit Shqiptar për klasën e 12-ë. “Nuk është e rekomandueshme që historia të shkruhet në mes të ngjarjeve”, thotë prof. Puto mbi çështjen e trajtimit të historisë bashkëkohore, më konkretisht të ngjarjeve të pas viteve ’90. Sipas tij kërkohet një distancë kohore nga ngjarjet, pa mbishtresa të vendosura nga situata aktuale, apo thënë në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga politika. “Historianët duhet t’i përgjigjen një parimi, që është distanca objektive, e cila nëse nuk zbatohet çon në rënien në pozita të njëanshme”. Duke iu referuar faktit që për historinë bashkëkohore është e pamundur të përdorësh dokumente arkivore, për shkak të ligjit për shfrytëzimin e burimeve arkivore, por edhe sepse kemi të bëjmë me ngjarje të freskëta e personazhe që gjallojnë në jetën politike dhe sociale të vendit, historiani është kundër trajtimit të kësaj periudhe. “Historianët duhet të mbështeten në burime të sakta, autentike dhe jo thjeshtë shtypin”, - thotë Puto. Historiani, i cili vetëm pak kohë më parë botoi një vepër studimore mbi vitet ’12-’39 të shekullit të kaluar, “Shqipëria politike 1912-1939”, thotë se ishte hera e parë që ndihej i lirë të shfrytëzonte burime të vërteta dhe gjithë materialin e duhur arkivor, ndonëse prej periudhës që ai trajton, na ndajnë mbi 70 vjet. Në një kohë që autorët e tekstit të Historisë 12, ngulin këmbë se për trajtimin e ngjarjeve pas viteve ’90 i janë referuar shtypit të kohës, raporteve të ndërkombëtarëve, apo vetë përjetimeve të tyre. prof. Arben Puto komenton edhe mënyrën e trajtimit të ngjarjeve të vitit 1997. “Përkufizimi si “rebelim komunist” i ngjarjeve të vitit 1997 është vetëm një version i dhënë, por që është kundërshtuar nga historianë të tjerë. Se cili version do të jetë i vërtetë, këtë do ta tregojë koha dhe studimet e mëvonshme që do të zhvillohen, pasi të jetë krijuar një distancë kohore dhe studiuesit të kenë në duar gjithë dokumentet e nevojshme. Megjithatë unë mendoj se ngjarjet nuk kanë ndodhur pikërisht ashtu. Ngjarjet e ’97-ës ishin një kryengritje popullore e shkaktuar si rezultat i falimentimit të firmave piramidale dhe që goditi një masë të gjerë të popullsisë shqiptare”, shprehet historiani. Sa i përket faktit që në tekstin e historisë në fjalë, autorët i veshin edhe “ngjyra” partiake (të majta), trazirave të ’97-ës, Puto thotë se është e mundshme që në këto ngjarje të ketë pasur ndikimin e vet edhe politika, pasi kjo u shoqërua me rënien e qeverisë, por nuk mund t’i vendosë “ngjyrime”. “Nuk e përjashtoj gjithashtu një ndikim të politikës në gjithë këtë histori, por nëse mund të huazoj një shprehje të përdorur shumë së fundi, kjo është “përtej të majtës dhe së djathtës”, pasi nga rënia e firmave piramidale, nuk u dëmtuan vetëm të majtët apo vetëm të djathtët”, - thotë Puto, që gjithsesi ngulmon në faktin që edhe këtë do ta tregojë koha dhe se çdo përkufizim i shpejtuar çon në njëanshmëri.
Puto e konsideron shumë të nevojshëm dhe të dobishëm debatin e hapur mbi mënyrën e të shkruarit të Historisë së Shqipërisë. “Shpresoj që prej këtij debati të dalë diçka e arsyeshme që shtron çështjen e trajtimit të historisë sipas standardeve të reja dhe jo më të vjetruara”, thotë historiani. Dhe me metodologji të vjetruar mund të nënkuptojmë edhe atë të përdorur nga autorët e tekstit të Historisë 12.
Beqir Meta: Politika po u bën presion historianëve
Ndërsa ende vazhdojnë debatet mbi mënyrën e trajtimit të tekstit të Historisë së Popullit Shqiptar për klasën së 12-të, një nga autorët e këtij libri, prof. dr. Beqir Meta thotë se nuk do të ketë asnjë rishikim të tekstit në fjalë. Prof. Meta e quan të turpshme gjithë këtë fushatë që është ndërmarrë nga politika, që sipas tij po shkakton presion mbi historianët, pikëpamjet e tyre dhe fjalën e lirë. “Nëse do të tërhiqnim këtë tekst, atëherë do të duhej t’ua linim në dorë partive politike, që ta hartonin atë. Për ne do të kishte qenë shumë më komode që të mos e kishim trajtuar këtë periudhë të historisë, por kështu e kërkonte programi mësimor. Kjo është arsyeja pse 20 vjet histori, ne i kemi trajtuar vetëm në tri faqe mbi bazën e fakteve dhe pikëpamjeve tona. Ne menduam që asaj pjese të historisë që njihet nga të gjithë si “ngjarjet e ’97-ës” t’i vinim një emër, duke u nisur faktet, nga goditja që pësoi shteti, nga qëndrimi i opozitës, etj. Por ne kemi një parim, që nuk mund ta konsiderojmë të vërtetën tonë si absolute, pasi në këtë mënyrë do t’i vinim fre debatit. Mbi këtë ngjarje, por edhe mbi qeverisjet socialiste, apo të Sali Berishës do të dalin variante të tjera, do të bëhen analiza të mëtejshme. Por për momentin dhe për faktet që kemi, ky është opinioni ynë”, - thotë Beqir Meta, ndërsa shton se në tekstin e tyre, ata nuk kanë nguruar që t’i vënë fajin qeverisë së kohës, për rënien e firmave piramidale, apo për ngjarje të tjera të mëvonshme. Sipas tij, edhe nëse është gabuar në këto tre faqe, është gabimi i tre njerëzve dhe duke qenë se bëhet fjalë për një tekst alternativ, ai mund të korrigjohet përmes debateve që mund të zhvillohen në shkolla, ku edhe mësuesit, prindërit e nxënësit të japim vërejtjet e tyre. Meta e ka quajtur të turpshëm presionin që po u bëhet historianëve. “Po terrorizojnë nxënësit, duke quajtur studiuesit “kriminelë”. Ky është një turp”, tha ai, duke shprehur rezerva dhe për politikanë-historianë që janë shprehur këto ditë mbi këtë debat, në një kohë që sipas Metës, ata duhet të analizojnë qëndrimin e tyre gjatë ngjarjeve të ’97-ës. Pikërisht trajtimi i kësaj periudhe, ka ngjallur edhe më shumë debate se e gjithë pjesa tjetër e librit. Në përpjekje për të dhënë një pamje të përgjithshme të gjitha ngjarjeve të ndodhura gjatë viteve ’90-2008, historianët i kanë vënë, siç e pranojnë edhe ata vetë, “emrin” disa prej kulmeve të këtij harku kohor. I tillë është ai i vitit 1997, të cilin historianët e konsiderojnë “rebelim komunist”, duke qenë se sipas tyre, trazirat e shkaktuara për shkak të rënies së firmave piramidale, u shfrytëzuan nga opozita socialiste për të marrë pushtetin. Ngjarjet e vitit 1998, i konsiderojnë “grusht shteti”, ndërsa vlerësojnë si hapjen e një “epokë të re” fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2005. Por edhe të tjera “terma” që konsiderohen nga kolegët historianë, si të vjetruar dhe që i takojnë mënyrës së vjetër të trajtimit të historisë, asaj gjatë diktaturës komuniste. Debati mbi trajtimin e historisë së Shqipërisë, e më konkretisht të Historisë 12, u hap nga përfaqësues të opozitës, të cilët e konsideruan si një tekst të politizuar dhe akuzuan qeverinë për ndikim në hartimin e teksteve dhe shtrembërimin e historisë. Më tej dhe një numër i madh historianësh reaguan ndaj këtij trajtimi, që sipas tyre nuk është korrekt nga ana shkencore, duke qenë se bëhet fjalë për një periudhë historike, e cila është e pamundur të zbardhet për shkak të bashkëkohësisë dhe të mungesës së dokumenteve.
“Enciklopedia, doktrinë raciste”
Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar si përpjekje në kërkim të identitetit, falsifikimin e historisë shqiptare nga ana e akademikëve maqedonas, në Enciklopedinë, e cila doli në qarkullim 10 ditë më parë. Sipas tij, kjo është një dëshmi se ai institucion ka mbetur në stadin e Çubrilloviçit. “Shqiptarët nuk kanë pse të impresionohen nga ndërhyrjet e atyre që kanë probleme me identitetin e tyre. Doktrina raciste, antishqiptare të fqinjëve tanë bazohet në përpjekjet e kërkimit të identitetit. Ata që falsifikojnë historinë e tyre, dëshmojnë që janë në kërkim të identitetit, ndërsa shqiptarët jo. Shqiptarët mund të kenë vuajtur për shumë gjëra, por jo për identitet”, tha ai. Gjatë ditëve të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri pati mundësinë të takohet me Presidentin maqedonas, Ivanov, i cili premtoi zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Reagimet e maturantëve
Teksti i historisë, nisin protestat në shkolla
Nisin reagimet e para të nxënësve mbi tekstin e “Historisë 12”, i cili ka ngjallur jo pak polemika. Dje maturantët e shkollës së mesme “Andon Zako Çajupi” në Tiranë kërcënuan me bojkot një orë të mësimit dhe kërkuan bllokimin e tekstit në fjalë. Nxënësit e vitit të katërt me ndihmën e organizatës “Rinia Aktive” kishin planifikuar të protestonin në ambientet e jashtme të shkollës, por protesta nuk u zhvillua, pasi gjimnazistët janë ndjerë të kërcënuar nga drejtoria dhe mësuesit e shkollës. Disa aktivistë të organizatës “Rinia Aktive” u shoqëruan nga policia në ambientet e Komisariatit nr. 4, pasi u denoncuan nga drejtoria e shkollës “A.Z.Çajupi” për prishje të procesit mësimor. Sipas dëshmive të vetë nxënësve, drejtuesit e shkollës u kanë kërkuar gjimnazistëve të futen në mësim dhe të mos protestonin duke kërcënuar me përjashtim, apo nota të ulëta. “Qëllimi i protestës ishte që t’i bënim apel Ministrisë së Arsimit për të nxjerrë nga qarkullimi tekstin mësimor “Historia 12” dhe ndryshimin e tekstit”, u shpreh një gjimnaziste. Në ambientet e shkollës “A.Z. Çajupi”, i pranishëm në protestë ka qenë dhe deputeti socialist Ilir Gjoni, i cili pas ndërhyrjes së policisë ka zhvilluar një takim me drejtorinë e shkollës. Gjoni tha se protesta ishte brenda rregullave dhe se i kishte kërkuar drejtoreshës së shkollës të tërhiqte denoncimin. “Teksti i Historisë 12 është i turpshëm. Si ato të neodiktaturës. I kërkova drejtorisë së shkollës të tërheqë denoncimin, pasi nuk nderon trupën arsimore”, tha Gjoni. Edhe maturantët e shkollave të mesme në rrethin e Matit pritet të reagojnë në mënyrën e tyre për librin “Historia 12”. Maturantë, të cilët nuk pranojnë të identifikohen për shkak të presionit, që ushtrohet mbi ta nga drejtoritë e shkollave thanë se kanë vendosur të protestojnë në një mënyrë disi të veçantë. “Ne do të mblidhemi para shkollave të mesme dhe do t’i djegim publikisht librat”, thonë ata.
Berisha: Të rishikohet historia
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të rishqyrtojë çështjen e Historisë së Shqipërisë”. Në lidhje me tekstin e Historisë së Popullit Shqiptar të klasës së 12, me autorë historianët Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu dhe Xhevair Lleshi, është shprehur dje edhe kryeministri Sali Berisha.
Berisha
Gjatë kohës së lindjes së këtij debati, kryeministri ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Duke pohuar se ka ndjekur vetëm debatin, por nuk ka lexuar tekstin, Berisha ka theksuar se historia duhet të rishkruhet e rishqyrtohet, por me vërtetësi e objektivitet. “Historia duhet të tregojë vërtetësisht realitetin”, tha Berisha, ndërsa shton se me aq sa kupton nga trajtimi i kësaj çështjeje në media, në këtë libër, “regjimi kleptokratik që ne përmbysëm në vitin 2005 është trajtuar në klishenë e vjetër”. Sipas tij, nuk mund të mohohen hapat pozitivë që janë hedhur gjatë qeverisjes socialiste, si fillimi i negociatave për asociim-stabilizimin në vitin 2002, nënshkrimin e Kartës Adriatiku 3 etj. “Në histori nuk ecet bardhë e zi dhe ajo që do them, historia duhet të shqyrtohet dhe shkruhet me objektivitet dhe ndershmëri, se përndryshe bën një replikim shkrimit të saj. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do ta shqyrtojë tekstin”, ka thënë ai, duke i komentuar reagimet e opozitës për këtë libër shkollor si shprehje të një stadi të prapambetur. “Akoma sot pas 20 vitesh në mendjet e këtyre njerëzve funksionon mendja e Enver Hoxhës, pasi edhe diellin, edhe hënën, edhe shiun e tërmetin, edhe çdo gjë e lidhin me 1-shin. Sidoqoftë qëndrimi im është i prerë, që historia do të rishqyrtohet dhe do të rishkruhet, sepse ajo është e fshehur dhe ajo do të nxjerrë të vërtetat dhe vetëm të vërtetat dhe unë nuk mund të them kurrë që ne t’u paraqesim shqiptarëve një histori tjetër, përveçse e vërteta”, tha Berisha, ndërsa shton se ndonëse nuk është historian, është mik i apasionuar i historisë.
Majko
Po dje, gjatë emisionit “Kontrast” në Tv “Alsat”, për këtë çështje është shprehur dhe deputeti socialist Pandeli Majko. Duke thënë se ky është një problem që ngarkon me përgjegjësi një grup historianësh, Majko e konsideroi këtë tekst “një karagjozllëk fund e krye”, i cili u kap në kohën e duhur dhe shtroi në tryezën e politikës, akademikëve, historianëve, faktin që fajin jo gjithnjë e kanë politikanët. “Duhet të ishte një punë e vërtetë profesionistësh, por kur bie në dorë të nallbanëve, atëherë duhet të gjejmë se kush e la këtë çështje në dorën e tyre”. Ndonëse në Historinë e Popullit Shqiptar 12 është eliminuar tërësisht periudha gjatë së cilës Majko ka qenë kryeministër i vendit, ai nuk u ndal në këtë moment, por e quajti shumë të rëndë shmangien e Lëvizjes së Dhjetorit në momentin e rënies së sistemit komunist. “Kjo është një çështje që s’mund të kalohet as nga të majtët dhe as nga të djathtët. Pasi e kemi përjetuar dhe kemi kujtesë shumë të mirë”, tha Majko. Ai tha se ende vijohet të shkruhet historia në mënyrë naive, si në kohën e diktaturës së Enver Hoxha, ku e gjithë historia rrotullohej rreth tij, thuajse asgjë nuk kishte ndodhur më parë.
Pjesë nga libri
“Në dhjetor 1990 shpërthyen demonstratat e popullsisë së qyteteve të mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Kavaja. Këto ngjarje treguan se udhëheqjes komuniste i kishte dalë situata jashtë kontrollit. I ndodhur përballë trysnisë ndërkombëtare dhe grevave e protestave brenda vendit, Ramiz Alia në një takim me përfaqësuesit e studentëve të Universitetit të Tiranës, u detyrua të pranonte kërkesën për vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri…”
Në ngjarjet e 14 shtatorit të vitit 1998 thuhet: “Në këtë ditë u pushtuan me forcë institucionet qendrore të vendit, radiotelevizioni publik dhe Kryeministri i vendit u largua nga Shqipëria. Me tërheqjen e forcave që mbështesnin opozitën, qeverisjen e vendit e mori Ilir Meta, një nga drejtuesit e PS.”
Për periudhën e qeverisjes së Fatos Nanos thuhet: “gjatë kësaj periudhe ndodhën ngjarje të rënda. U mbytën në Adriatik nga luftanija italiane “Sibila” 84 qytetarë shqiptarë. Gjithashtu u mbytën duke u lënë në mëshirë të fatit 19 qytetarë shqiptarë në janar të vitit 2004… Kryeministri dëshmoi në disa raste se nuk kishte ndjeshmërinë e duhur ndaj këtyre fatkeqësive dhe njerëzve që ishin prekur prej tyre. Për t’u shfajësuar para opinionit shqiptar dhe për të ndryshuar disi raportet brenda PS kreu i saj organizoi mbledhjet e famshme të KPD ku akuzoi hapur shumë drejtues të PS dhe anëtarë të Qeverisë për gjithçka dhe doli fitimtar…”.
“Opozita e majtë për disa vjet e akuzoi qeverinë se kishte harxhuar shumë burime financiare për rrugën Durrës – Kukës, për preferenca të firmave, konkretisht të firmës Behtel – Enka, por rruga filloi dhe në fund të mandatit ishte gati për t’u inauguruar…”
“Pjesë e kësaj lufte ishte denoncimi i qeverisë nga opozita për korrupsionin gjigand në rrugën Durrës – Kukës duke akuzuar ish Ministrin e Punëve Publike L. Basha si dhe denoncimi i shumë rasteve të tjera për tenderat e KESH…”
“… Qeveria u ngarkua me një barrë shumë të rëndë në lidhje me këtë aferë, aq sa gjithnjë e më shpesh nga opozita po quhej si “qeveria e Gërdecit”. Në këto debate, u trajtua si një akt korrupsioni edhe çështja Fazlliç…”
“Në zgjedhjet e vitit 2001, përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër. Por vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur. Kreditimi i ekonomisë nuk i përshtatej ende nevojave të zhvillimit”.