E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëtitorja së shpejti me “faqe të re”

 

KORÇE - Bulevardi “Republika” në Korçë do të ndryshojë pamje brenda harkut të tre muajve në sajë të një rikonstruksioni. Kryebashkiaku Niko Peleshi u shpreh se ky është një nga investimet më të mëdha dhe më të rëndësishme të bashkisë gjatë këtij mandati. Rikonstruksioni i bulevardit me gjatësi 750 metra, që përbën edhe shëtitoren e qytetit dhe që lidh atë me Parkun “Rinia”, do të kryhet nga firma “Xhengo”. Punimet kanë nisur një muaj më parë ku është hequr shtresa ekzistuese e asfaltit. Këto punime po ecin paralelisht me hapjen e pusetave të ujërave të përdorura, të cilat po rikonstruktohen nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve. Para disa ditësh, në kuadër të rikonstruksionit të këtij bulevardi u pre bliri i parë, i cili rreshtohej mes dhjetëra blirëve që ka kjo shëtitore në të dyja anët e saj. Kjo shërbeu si alarm për banorët, të cilët masivisht kërkuan që të mos priten këta drurë karakteristikë, dekorativë dhe funksionalë për pastrimin e ajrit të qytetit. Në përgjigje të shqetësimet të tyre u bë e ditur se do të priten vetëm 5 blirë, që janë shumë të vjetër e të shtrembër dhe që kanë devijuar bordurën e trotuarit me rrënjët. Ata do të zëvendësohen sërish me drurë bliri. Investimi i Bashkisë shkon në vlerën 78 milionë lekë. Ai do të përballohet tërësisht nga të ardhurat e Bashkisë. Gjithë gjatësia e bulevardit do të shtrohet me pllaka guri të veshura me kuarc, të importuara nga Italia. Është parashikuar edhe rikonstruksioni i plotë i sistemit të ndriçimit dekorativ të ulët dhe të lartë si dhe rikonstruksioni i plotë i trotuareve. Në vazhdim të këtij investimi me vlerë prej 22 milionë lekë do të kalohet në rikonstruksionin e fasadave të 12 vilave më të bukura të kësaj shëtitoreje.                 j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›