E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, Kacollja mendon tërheqjen pas dëmtimit në kokë

Nga Elton Karaj

Stafi teknik verdheblu ka shumë mundësi të humbasë një nga lojtarët me më shumë përvojë

Ekipi i Elbasanit po stërvitet në kompleksin sportiv Shefqet Lamçja, nën drejtimin e dyshes File-Dosti, por është ende e dukshme në fytyrat e lojtarëve mërzitja nga humbja e pësuar në Sarandë në minutat e fundit. Por verdheblutë e kanë ende mendjen te shoku i tyre i skuadrës, mbrojtësi Mardian Kacollja, i cili pësoi një dëmtim të rëndë gjatë ndeshjes me Butrintin.

Ai u dëmtua në kokë, prandaj dhe la fushën dhe shkoi fillimisht në spitalin lokal në Sarandës dhe më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Gjendja e lojtarit në fillim ka qenë e rëndë, por, falë ndërhyrjes së mjekëve, është stabilizuar. Kacollja është dërguar në Spitalin Ushtarak për një mjekim më të specializuar.

Sipas mjekëve të spitalit, gjendja e lojtarit në fjalë është më e mirë dhe tashmë është jashtë çdo rreziku, por duket se ai do ta ketë të vështirë të kthehet në fushat e blerta. Një ditë më parë Kacollja është shprehur se po mendonte ta linte futbollin pas asaj ngjarjeje, por ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen. Mbrojtësi elbasanas pritet që këto ditë të kthehet në shtëpinë e tij, në qytetin e Elbasanit.

Tashmë trajneri File duhet ti bëjë llogaritë pa mbrojtësin me përvojë, pasi edhe nëse Kacollja vendos të kthehet dhe të luajë, do ti duhet një kohë e gjatë për të qenë i gatshëm. Lojtarët e Elbasanit janë disi të tronditur nga kjo që ndodhi, sepse nuk do të kenë në skuadër një lojtar me mjaft përvojë dhe ky fakt patjetër që i prish shumë punë stafit teknik për pjesën e mbetur të sezonit. Nga ana tjetër, të gjithë në skuadër janë të lumtur që kjo gjë përfundoi me kaq dhe i urojnë shërim të shpejtë shokut të tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›