E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja, tani një skuadër që prodhon futboll dhe pikë

Nga Julian Kasapi

Trajneri Malko duket se e ka gjetur ilaçin për verdhejeshilët, pasi është i njëjti grup futbollistësh që po ngjit shkallët e tabelës 

Verdhejeshilët vijojnë normalisht procesin stërvitor në ambientet e stadiumit Roza Haxhiu, edhe pse kampionati do të jetë pushim për këtë fundjavë. Për lushnjarët ende nuk ka përfunduar jehona e fitores në transfertën e vështirë të Burrelit, ku ata nuk e kishin bërë asnjëherë këtë gjë.

Përgatitja cilësore e futbollistëve nga ana e stafit teknik, jo vetëm në aspektin taktik apo edhe fizik, por më shumë atë psikologjik, ka qenë një nga faktorët kyç të paraqitjes së mirë të lushnjarëve dhe të marrjes së 3 pikëve.

Myzeqarët nuk u dorëzuan përballë presionit të vendësve dhe të luftës së egër sportive, që i kalonte kufijtë e normales dhe shkonte në dhunë. Të gjithë në kampin lushnjar e kishin të qartë se nuk kishte rrugë tjetër, përveç fitores, rezultat i imponuar nga objektivi i këtij sezoni. Skuadra verdhejeshile, në 4 ndeshje që drejtohet nga strategu Malko, ka marrë 9 pikë dhe ka ngjitur 10 vende në klasifikim.

Sot ajo mban vendin e 4-t, por kuptohet që mund të kishte arritur më shumë, nëse nuk do të kishte gabuar fatalisht në ndeshjet e startit të kampionatit, madje edhe në stadiumin Roza Haxhiu. Janë të njëjtët futbollistë, por është dashur më shumë punë, që ata të jepnin maksimumin e tyre. Dhe këtë ka arritur të bëjë me sukses, me sa duket, trajneri Saimir Malko, i cili po përjeton së bashku me djemtë një shije të vërtetë të futbollit cilësor dhe rezultativ.

Ndalesa e kampionatit Ndërprerja e kampionatit në këtë moment ka të mirën dhe të keqen e saj njëkohësisht për lushnjarët, ashtu si dhe për shumë skuadra të tjera. Aspekti pozitiv është se mund të riaftësohen disa futbollistë të dëmtuar, kurse ai negativ ka të bëjë me faktin se Lushnja po kalon një formë të shkëlqyer, që mund të venitet nga ky pushim i detyruar. Gjithsesi, stafi teknik shpreson të ketë të gatshëm për ndeshjen e radhës Çelën, Sefën, Dhimën apo dhe ndonjë tjetër.

Miqësoret Skuadra e drejtuar nga trajneri Malko do të luajë sot, në Roza Haxhiu, një miqësore me Albpetrolin. Konfirmimi vjen nga sekretari i klubit, Judmir Shurdhi, i cili u shpreh: “Kemi një konfirmim nga klubi i Albpetrolit për një miqësore në Lushnjë. Është gjë e mirë, që skuadra të ketë mundësi të provohet dhe të mos qëndrojë vetëm me seanca stërvitore gjatë kësaj kohe.

E zhvillojmë një ndeshje të tillë për të mbajtur në tonus futbollistët, të cilët kanë treguar vlera në javët e fundit, duke bërë një ngritje të konsiderueshme në tabelën e klasifikimit. Synimi ynë mbetet superliga.

10 vende

Ka fituar në klasifikim skuadra lushnjare gjatë 4 javëve të fundit, ku ajo është drejtuar nga trajneri Malko, i cili debutoi me humbjen në transfertën me Luftëtarin, por më pas arriti 3 fitore radhazi, dy në shtëpi me Elbasanin dhe Butrintin, dhe të fundit në fushën e Burrelit

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›