E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimaj: Ky Luftëtar, i prerë për kampion

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Pas barazimit në Kavajë, portieri Erind Selimaj shpreh bindjen se ekipi gjirokastrit është më i miri në kategorinë e parë

Në Kavajë Luftëtarit iu desh të përballonte jo vetëm ekipin vendas të futbollit në fushë, por edhe dhunën që vinte nga tribuna e stadiumit. Stoli gjirokastrit u gjend para breshërisë së shisheve, karrigeve plastike dhe sendeve të tjera, që vërshonin  si meteorë nga qielli drejt Tokës, por për fat të mirë nuk pati ndonjë viktimë.

Gjirokastritët në thelb nuk e prisnin një gjë të tillë pikërisht në Kavajë, aq më tepër që jo pak futbollistë kavajas kanë veshur fanellën e Luftëtarit dhe pak gjirokastritë të Besës. I fundit është Nora, që në fazën e dytë të sezonit të kaluar për të realizoi edhe 5 gola. Edhe në ndeshjen në fjalë ai shënoi golin e parë, që u neutralizua në 1-1 më pas nga Bubeqi. Me siguri ato që ndodhën në stadiumin Besa janë si një njollë në diell, kurse ajo që i nderon këto dy ekipe me shumë tradita është kthimi i tyre në superligë, ku duhet të kenë kolltukët e tyre.

Selimaj Fill pas përfundimit të ndeshjes, kontaktuam portierin shkodran të Luftëtarit, Erind Selimajn, që evitoi të paktën 3 gola të sigurt. Pas atij barazimi, ai thekson mes të tjerash se ky ekip është i prerë për titullin kampion të kategorisë së parë: Për mendimin tim, Luftëtari i këtij sezoni është i prerë për të qenë kampion. Ndeshja e sotme  tregoi katërcipërisht se ekipi ynë mund të matet me dinjitet me çdo ekip të kategorisë së parë, pavarësisht se luhet jashtë apo brenda fushe.

Nëse nuk do të tensionohej situata, nuk do të ishte aspak surprizë të fitonin ne. Gjithsesi, them se barazimi është rezultat i favorshëm dhe tani kemi dy përballje në Gjirokastër. Në rast se të mërkurën e ardhshme fitojmë me Elbasanin, gjë që është plotësisht e mundshme, shkëputemi 5 pikë nga ndjekësi më i afërt. Them se, duke luftuar euforinë dhe duke u përqendruar me tërë energjitë tona, do ta kalojmë me sukses edhe këtë përballje me ekipin më me lavdi që është në këtë kategori.

Nostalgji

Por e shtuna në Kavajë tregoi edhe anën tjetër të medaljes. Pas ndeshjes, kavajasi Metë Arkaxhiu takoi me përzemërsi gjirokastritët dhe në dorë mbante fotografinë e Luftëtarit kampion të kategorisë së dytë (sot e para) t렠vitit 1963, ku ishte edhe ai vetë. Arkaxhiu e ka veshur fanellën e ekipit gjirokastrit për 3 sezone. Ishte diçka vërtet emocionante. Ai tregoi lojtarët një nga një, si dhe pyeti për shokët e tij gjirokastritë dhe për trajnerin e asaj kohe, Anastas Bozhorin.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›