E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani "frenon" edhe Tiranën

Tirana nuk shkon më shumë se barazimi 0-0 me Elbasanin dhe rrezikon të humbasë kreun e kampionatit, të rifituar vetëm një javë më parë. Për ironi të fatit ishin pikërisht të besuarit e Faruk Sejdinit, ata që ia "dhuruan" vendin e parë bardhebluve, me barazimin pa gola me Vllazninë, përpara 7 ditëve në "Ruzhdi Bizhuta". Ndeshja pati mjaft momente interesante, me nga një shtyllë të goditur nga të dyja skuadrat, pretendimet për dy penallti nga Elbasani dhe goli i Memellit në sekondat e fundit, i cili u anulua për pozicion të dyshimtë jashtë loje. Dy pikët e humbura kanë lënë shije të hidhur te Tirana dhe këtë e konfirmon tekniku Agustin Kola: "E dinim se Elbasani nuk është një kundërshtar i lehtë dhe nuk e meriton vendin që ka në klasifikim. Fituam 1 pikë në këtë sfidë, por fatkeqësisht humbëm 2 pikë. Gjykimi? Nuk preferoj të flas". Në anën tjetër, Sejdini konfirmon se Elbasani i tij nuk punon për të tjerët: "Ndodhemi në pozita të tilla ku nuk mund të bëjmë llogari dhe të mendojmë se do të ndalim Vllazninë, si ndodhi një javë më parë, apo do të ndalim Tiranën, për t‘i bërë ndere njërës apo tjetrës. Elbasani luan për të grumbulluar sa më shumë pikë, pasi ky nuk është klasifikimi që meritojmë. Barazimi me Tiranën vlen, edhe sepse me këtë skuadër do të ndeshemi në Kupë". Sot, me sfidën përballë Lushnjës, Vllaznia ka shansin të marrë kreun dhe të jetë skuadra e favorizuar në shortin për fazën e tretë.

Rreziku

Tirana mund të humbasë kreun nëse Vllaznia fiton me Lushnjën dhe kjo do të thotë se takimi i fundit i Superiores, mes dy kryesueseve, do të luhet në Shkodër

Superiore / Java 21

Dje

Tirana-Elbasani 0-0

Partizani-Besa 1-0

Ngjela 45‘

Sot

Vllaznia-Lushnja

Flamurtari-Dinamo

Apolonia-Shkumbini

Bylis-Teuta

Skuadra N Pikë

1. Tirana 21 40

2. Vllaznia 20 38

3. Dinamo 20 32

4. Shkumbini 20 30

5. Besa 21 29

6. Teuta 20 26

7. Flamurtari 20 25

8. Elbasani 21 25

9. Apolonia 20 24

10. Partizani 21 22

11. Lushnja 20 18

12. Bylis 20 18

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›