E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi i telefonisë celulare në Barcelonë

Në "Mobile World Congress 2009" (Kongresi Botëror i Telefonisë së Lëvizshme), i cili sapo u zhvillua në Barcelonë, kolosët botërorë të telefonisë celulare, por edhe të vegjlit (më shumë se 60 mijë të interesuar vizituan stendat e rreth 1 mijë e 3 qind kompanive), shfaqën në sytë e publikut shpikjet e reja "antikrizë", duke bazuar çdo veprim te bindja se klima problematike ekonomike përfaqëson një rast shumë të mirë për t‘u përqendruar tërësisht te risitë teknologjike.

Sipas sondazhit të fundit të shoqërisë "Gartner", 2009-ta është i dyti vit në historinë e celularëve, gjatë të cilit do të shënohen ulje të shitjeve (mendohet se shifra do të luhatet mes 1 dhe 4 për qind): viti i parë ishte 2001-shi, pas shpërthimit të flluskës së internetit. Por e vërteta është se sot në botë 4 miliardë njerëz flasin, dërgojnë mesazhe, apo lidhen në internet përmes një diapozitivi të lëvizshëm dhe 2.7 miliardë të tjerë (më së shumti në vendet në zhvillim) ende nuk e kanë shijuar këtë luks. Fakt që për kompanitë e këtij sektori do të thotë se ka ende hapësirë për t‘u shtrirë edhe më tej. Ndërsa gërshetimi i internetit, postës elektronike, televizioneve e celularëve, është veç në hapat e parë dhe ka shumë rrugë për të bërë.

Ndërkaq, operatorët evropianë të telefonisë celulare i kanë ftohur shpresat e prodhuesve të aparateve celulare për rrjetet wireless super të shpejtë 4G, të ashtuquajturit LTE (Long Term Evolution) - të cilët do të bëjnë të mundur integrimin e vërtetë me internetin. Kjo, pasi ende nuk kanë arritur të shlyejnë kostot e licencave të sistemeve aktuale 3G. Thonë se kjo temë do të hapet përsëri vetëm në vitin 2012.

Por, këtë vit, të gjithë propozojnë postë elektronike dhe internet të përshtatshëm për teknologjinë e telefonisë celulare: rrjete sociale, harta, motorë kërkues, foto e video me definicion të lartë, pasi kërkesa për t‘u lidhur gjatë gjithë kohës e nga çdo pikë gjeografike është kthyer në detyrim. "Besojmë se të gjithë celularët do të bëhen smart", pra inteligjentë, deklaroi Maik Azaridis, themeluesi i kompanisë "Research in Motion", e cila prodhon aparatin "BlackBerry". "Dikur e quanin telefon portabël, sot bëhet fjalë për një kompjuter të lëvizshëm me memorie më të madhe, mundësi më të shumta kalkuluese, grafikë të përmirësuar, më shumë mundësi për t‘u lidhur, si dhe definicion më të lartë", nënvizoi gjatë një konference për shtyp Kai Oistamo i kompanisë "Nokia".

Konvergjencë do të thotë që në panairin e Barcelonës nuk morën pjesë vetëm kompanitë e sektorit teknologjik, por e gjithë industria dixhitale: nga Stiv Balmer i "Microsoft"-it, që mbajti edhe fjalën e hapjes, te Franko Bernabe i "Telecom Italia", që e vuri theksin te banda e gjerë, ashtu si edhe aktori Kevin Speisi, i cili dha edhe çmimin për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër të realizuar me celular.

Androidi, i shpallur një vit më parë nga "Google" alternativa e sistemeve operative "Symbian" (të "Nokia"-s e bashkëpunëtorëve të saj") dhe "Windows Mobile" ("Microsoft" ka paraqitur tashmë versionin e fundit 6.5), nuk është më veç prototip, gjatë muajve të ardhshëm do të bëhet operativ në disa shtete evropiane.

Në panair mungonte (gjithsesi qe e pranishme në çdo debat) "Apple" me "iPhone"-in dhe me "App Store", ku zhvillohen softuere me qëllime të posaçme. Mbetet kompania që vendos ligjet, të cilat më pas kopjohen nga të gjithë. Nëpër stendat e shumta u zhvilluan gara se cila kompani ekspozonte aparatin "touch screen" më të bukur. Po ashtu janë të shumta kompanitë që kanë hapur "App Store"-et e veta, për t‘i dhënë shtysë zhvillimit të aplikacioneve të posaçme për celularët e tyre.

Më pas, të gjithë janë përfshirë në garën e ndjeshmërisë ndaj ambientit, duke ekspozuar nëpër tenda bateri diellore të rikarikueshme, materiale ekologjike, si dhe duke shpallur plane për riciklimin e celularëve të vjetër. Ndërkohë që jo të gjitha shtetet e kanë në plan të parë interesin për produkte që mbrojnë ambientin. Sa për të marrë një shembull, drejtuesi i një kompanie lider në sektorin e telefonisë celulare në Itali, vërejti pa gjetur fjalë të bukura, se në vendin e tij konsumatorët as që e vrisnin mendjen për të tilla gjëra.

Më tej, në Barcelonë prodhuesit nënshkruan një marrëveshje, që parashikon prodhimin e një karikuesi universal baterish brenda vitit 2012, kërkesë e bërë nga Bashkimi Evropian. Sipas autoriteteve, një masë e tillë do të ulte deri në 50 për qind konsumin e energjisë dhe do të kufizonte ndotjen e shkaktuar nga hedhja e karikuesve të vjetër, në çastin që blihet një celular i ri i një marke tjetër.

Gjiganti "Samsung" paraqiti në Barcelonë aparatin "Blue Earth", i pari telefon celular që mund të rikarikohet si me dritën e diellit, ashtu edhe me dritë artificiale. Në duart e blerësve do të jetë në vjeshtën e këtij viti. Në fund të panairit, siç e do edhe tradita, jepen çmimet për risitë më të mira teknologjike. Çmimin "Oskar" të softuerit aplikativ për celularë e fitoi "Expert System", një kompani italiane me qendër në Modena - e vetmja italiane e seleksionuar mes më të mirëve - me motorin e saj të kërkimit "Cogito Answers", i cili shihet me lakmi edhe nga vetë "Google".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›