Elbasani, të paktën të arrijë play-off-in
Vjen edhe sulmuesi Olatunji, ndërkohë që nga klubi verdheblu mësohet se priten edhe 3-4 blerje për fazën e dytë
Elbasani ka qenë dje për herë të parë i plotë në stërvitje, pasi me grupin është bashkuar edhe nigeriani Olatunji, i cili u duk se ishte larguar përfundimisht. Edhe sulmuesi afrikan është vënë nën urdhrat e stafit teknik, që pret ta forcojë skuadrën me ndonjë element cilësor gjatë merkatos së dimrit. Është e qartë se Elbasanit i duhen patjetër përforcime, ndaj mbetet për tu parë se çfarë do të bëjnë konkretisht drejtuesit e tij.
Me grupin e fazës së parë është vërtetuar se verdheblutë nuk mund të sigurojnë as pjesëmarrjen në play-off, kështu që merkatoja konsiderohet jetike. Ndeshjet në transfertë i kanë nxjerrë qartë në pah problemet e Elbasanit. Nga burime pranë klubit mësohet se shumë shpejt do të afrohen 3-4 lojtarë për fazën e dytë dhe duket se Elbasani është zgjuar dhe kërkon të shfaqet si një pretendent i vërtetë në pjesën e mbetur të sezonit.
Ndeshjet direkte Faza e dytë i favorizon verdheblutë për vetë faktin se të gjithë rivalët e drejtpërdrejtë do ti presin në stadiumin Ruzhdi Bizhuta, ku ata kanë qenë të pagabueshëm gjatë fazes së parë. Në Elbasan do të vijnë Luftëtari kryesues, Lushnja, Besa dhe Besëlidhja, kështu që ekipi verdheblu ka shansin të rikuperojë shumë pike.
Pra, të gjithë presin një Elbasan ndryshe, por vendimtare mbetet merkatoja. Edhe pse skuadra e drejtuar nga File është 5 pikë prapa nga vendi i 5-të, janë mundësitë për ti rikuperuar pikët e lëna në fazën e parë. Rruga drejt superligës është ende e hapur, ndaj dhe verdheblutë do ti luajnë të gjitha kartat. Falë përvojës që kanë disa nga titullarët e Elbasanit, por edhe kualitetet të atyre që pritet të vijnë, mund të bëjnë që kjo skuadër ta shohë veten në 5 vendet e para në fund të kampionatit.
