E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani i reduktuar drejt Mamurrasit

Plot 6 futbollistë nuk do të ketë në dispozicion trajneri File, mungesa të cilat e bëjnë edhe më të vështirë transfertën e sotme

Nga ELTON KARAJ

Elbasani luan sot shansin e fundit përballë ekipit të Mamurrasit dhe një humbje do t’ia ndërlikonte seriozisht objektivat e këtij sezoni. Kjo edhe për faktin se verdheblutë do të udhëtojë me mjaft mungesa në këtë transfertë të vështirë në fushën e Mamurrasit, ku i mungojnë plot 6 titullarë. Të besuarit e trajnerit File, në ndeshjen e sotme do të jenë pa të dëmtuarit Merxha, Hila e Bylykbashi dhe të pezulluarit për arsye kartonësh Olatunji, Lamçe dhe Dushku. Gjithsesi në përbërjen e formacionit, që është përzgjedhur nga ana e stafit teknik për përballjen e sotme ka disa lojtarë të rinj të talentuar, që cilësohen si e ardhmja e klubit verdheblu. Elbasani udhëton në Mamurras për të treguar se ende nuk është dorëzuar, pavarësisht se tani ekipi po kalon momente të vështira. Nga ana klubit pritet që të bëhet kthesa në këtë takim, edhe pse luhet ndaj një rivali tepër të vështirë që ndodhet në vendin e tretë në renditje. Elbasani nuk ndodhet në pozita të mira, por përsëri lojtarët duhet të tregojnë se e meritojnë atë fanellë që mbajnë veshur mbi supe dhe njëkohësisht për të treguar se i respektojnë ngjyrat e skuadrës së qytetit të tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›