Elbasani, i rehabilituar pas fitores së thellë në derbi
Mesfushori Mateos Toçi, protagonist në atë ndeshje, beson se ekipi do të vazhdojë me rezultate dhe lojë bindëse
Ekipi verdheblu ka filluar dje përgatitjet për ndeshjen me Besëlidhjen, një tjetër transfertë e vështirë, pas asaj të javës së parë në Skrapar. Fitorja e thellë me Gramshin i ka rehabilituar elbasanasit, të cilët nesër kanë edhe ndeshjen e kupës me Mamurrasin. Në seancën e djeshme ekipi ka qenë i plotë, me përjashtim të mesfushorit Endri Dalipi, i cili duket se ka një dëmtim të lehtë dhe për këtë shkak nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e zhvilluar në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”.
Ndërkohë, lajmi i mirë për trajnerin File është se sulmuesi nigerian Olatunji është bashkuar me grupin në stërvitje. Ai u detyrua të dilte nga fusha në pjesën e parë të ndeshjes me Gramshin, pasi shënoi golin e barazimit, sepse pati dhimbje në kofshën e majtë, por ky dëmtim ka kaluar dhe sulmuesi është i gatshëm për stafin teknik për ndeshjen e radhës.
Atmosfera ka qenë mjaft pozitive, pas goleadës në derbin me gramshiotët. Mateos Toçi, protagonist në ndeshjen e fundit, duke shënuar një gol mjaft të bukur, tregoi se është një lojtar që do ti nevojitet Elbasanit këtë sezon. Për “Sportin shqiptar” ai u shpreh se rezultati ishte rrjedhojë e lojës së Elbasanit: “Jam mjaft i kënaqur për fitoren e ekipit, normalisht edhe për golin, por kënaqësia personale është në plan të dytë. Rëndësi kanë rezultatet e ekipit, pavarësisht se kush i shënon golat.
Elbasani duhet të marrë 3 pikët dhe duhet të bindë se është pretendent real për superligën, ashtu siç bëri me Gramshin, ka theksuar mes të tjerash futbollisti i ri elbasanas. Toçi nuk luajti në rolin e tij natyral në derbi. Trajneri File e zhvendosi atë nga qendra e mesfushës në të majtë të saj. Gjithsesi, ai u paraqit mirë dhe lë shenjën e tij në atë fitore të bukur.
“Sa për aktivizimin tim në krahun e majtë, them se nuk ishte ndonjë risi, sepse edhe më parë në ndeshjet stërvitore jam aktivizuar në atë rol. Për Elbasanin jam i gatshëm të luaj atje ku ka nevojë ai, madje edhe portier, nëse do të më kërkohej nga trajneri. Fanella e Elbasanit është me peshë dhe jam shum i lumtur që e mbaj veshur, – ka shtuar në fund Toçi. Ai shpreh keqardhjen që nuk do të ketë mundësi të luajë me Besëlidhjen, pasi do të jetë i grumbulluar nga kombëtaren U-19.
Shiu i fortë ndërpret stërvitjen e verdhebluve
Futbollistët e Elbasanit janë detyruar ta ndërpresin stërvitjen e djeshme, për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që ka rënë dje në këtë qytet. Trajneri Ilirian File, duke parë kushtet e këqija atmosferike, e ka urdhëruar ekipin e tij që të futet në dhomat e zhveshjes, për shkak se reshjet e shiut ishin mjaft të dendura dhe e bënin të pamundur zhvillimin normal të seancës stërvitore.
