E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luajnë në Kosovë

Meqenëse autoritetet ukrainase ia kanë ndaluar Besa Famiglias hyrjen në territorin e tyre me pasaporta të Republikës së Kosovës, pejanët kanë arritur marrëveshje me krerët e HC Motor-Zntu-Zas, që dy ndeshjet mes tyre t’i zhvillojnë në Pejë. Edhe takimet në konkurrencën e femrave mes Prishtinës dhe kundërshtarit bjellorus Arkatron, sipas të gjitha gjasave, do të zhvillohen në Kosovë. Kurse, ndryshe prej tyre, vashat e Kastriotit pritet që dy ndeshjet ndaj HC Otelul Galati t’i luajnë në Rumani. Nga Valon Konushevci më 20 shtator 2011 në ora 11:09

Dy ndeshjet mes Besa Famiglias dhe ekipit ukrainas HC Motor-Zntu-Zas - në kuadër të garave evropiane të organizuara nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) – do të zhvillohen në Kosovë.

Pejanët do të ballafaqohen me ukrainasit në kuadër të rrethit të dytë të Kupës së fituesve të Kupave. Sipas kalendarit të garave të EHF-së, takimi i parë mes kosovarëve dhe ukrainasve ishte i paraparë për t’u zhvilluar në Zaporozhye, kurse ndeshja e kthimit në Pejë. Mirëpo, autoritetet ukrainase kishin vendosur që t’ia ndalojnë hyrjen në vendin e tyre ekipit kosovar me pasaporta të Republikës së Kosovës, sepse shteti ynë ende nuk është i njohur nga shteti ukrainas.

Ky fakt i ka detyruar drejtuesit e ekipit ukrainas të zbarkojnë në Pejë për t’i zhvilluar dy ndeshjet ndaj Besa Famiglias, pasi pejanët nuk kishin pranuar që me HC Motor-Zntu-Zas të takohen në ndonjë qytet tjetër neutral.

“Kemi arritur marrëveshje që të dyja ndeshjet t’i zhvillojmë në Kosovë, meqenëse neve nuk ka u lejua të hyjmë në Ukrainë me pasaporta të Kosovës. Takimi i parë do të zhvillohet më 15 tetor, kurse takimi i dytë më 16 tetor”, deklaroi për Express drejtori i Besa Famiglias, Hamza Idrizi.

Ndërkohë, edhe Prishtina, në konkurrencën e femrave, sipas të gjitha gjasave dy ndeshjet ndaj ekipit bjellorus Arkatron do t’i zhvillojë në kryeqytetin e Kosovës - në kuadër të rrethit të tretë të EHF Cup. Për këtë thuajse veç janë pajtuar drejtuesit e klubit bjellorus, pasi autoritetet e tyre kishin paralajmëruar se nuk do t’i lejojnë kosovaret të hyjnë në vendin e tyre me pasaporta të Republikës së Kosovës.

“Bjellorusët na kanë shkruar që të vijnë në Prishtinë për t’i zhvilluar dy ndeshjet ndaj nesh. Por, ne u kemi thënë atyre se jemi të interesuar që një ndeshje ta luajmë në Ukrainë e tjetrën në Kosovë. Kurse, opsioni i dytë i pranuar për ne është që dy ndeshjet t’i luajmë në Prishtinë, por assesi në teren neutral”, tha kryetari i Prishtinës, Nebih Zariqi. Kështu, me gjasë dy takimet mes këtyre ekipeve do të zhvillohen më 8 dhe 9 tetor.

Për dallim prej Ukrainës e Bjellorusisë, Rumania – e cila po ashtu akoma nuk e ka njohur shtetin e Kosovës - pritet t’i lejojë vashat e Kastriotit që ndeshjen e parë ndaj HC Otelul Galati ta zhvillojnë si mysafire. Madje, me gjasë ferizajaset të dyja ndeshjet do t’i zhvillojnë në Rumani, më 8 dhe 9 tetor, siç figuron tashmë në ueb faqen zyrtare EHF-së. Këtë mundësi nuk e kanë përjashtuar as vetë krerët e klubit kosovar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›