Selimaj: Luftëtari i ka të gjitha mundësitë për fitoren e 3-të
Portieri shkodran i gjirokastritëve, Erind Selimaj, kërkon përqendrim për marrjen e 3 pikëve edhe me Skraparin
Çdo ekip, në një ndeshje mund të aktivizojë maksimalisht 14 futbollistë, por pa mohuar rolin e asnjërit, vëmendja është e përqendruar në rolet përcaktuese, në atë të shënuesve, të cilët japin fitoren, dhe të portierëve, që evitojnë humbjet, duke përjashtuar dhe rastet e barazimeve, që mund të ndikojnë te të dy palët.
Luftëtari në dy ndeshjet e para ka realizuar dy fitore në sajë të lojës «fantastike» të Bledar Devollit, me ekzekutues Raboshtën në ndeshjen me Vlorën dhe Mersinin me Himarën. Por, krahas këtyre «heronjve», qëndron madhështor dhe portieri Erind Selimaj, që në dy ndeshjet në fjalë nuk ka pësuar gol.
Në ndeshjen e radhës, Luftëtari «i madh» pret Skraparin «e vogël», që në fakt nuk është treguar i tillë, sepse ka realizuar një barazim dhe një fitore, pra rezultate të rangut të dytë, kështu që në Gjirokastër nuk do të vijë me «flamur të bardhë». Sidoqoftë, Luftëtari, me gjithë ata «senatorë» që ka në dispozicion, nuk duhet ta diskutojë fitoren, veçanërisht në stadiumin e tij, me lojë racionale.
Selimaj pret fitoren e 3-të Portieri shkodran i gjirokastritëve, Erind Selimaj, shprehet: «Në dy javët e para, duke përballuar ngarkesën psikologjike të premierës dhe fushën e ashpër të Himarës, Luftëtari ka marrë pikë të plota, që tani më tepër se kurrë çojnë në kërkim të fitores së 3-të, aq më tepër që ndeshja luhet në stadiumin tonë. Duhet thënë se në Himarë vendësit na krijuan vështirësi, por kualitetet e Luftëtarit me shumë përvojë e administruan lojën si duhet dhe realizuan fitoren.
Personalisht, jam i kënaqur që për së dyti nuk pësova gol, gjë që besoj se do të vazhdoj ta bëj edhe me Skraparin, që natyrisht paraqitet mjaft i fortë, të paktën duke u nisur nga rezultatet, në krahasim me dy kundërshtarët që u ndeshëm. Duhet të jetë e qartë se fitorja do të arrihet vetëm nëpërmjet lojës me rendiment në sulm dhe përqendrimit në mbrojtje. Nuk duhet në kampin tonë të hyjë asnjë molekulë «hashashi», që mund të na çojë në eufori, pasojat e së cilës dihen. Jam optimist për suksesin e tretë.»
