Imami: Emocionet ikën, priteni se po vjen edhe Dinamo
I riu 19vjeçar Eni Imami tregon ndeshjen ndaj kampionëve, ku ai goditi edhe shtyllën, por i vjen i keq që nuk u fitua nga blutë
Ekipi i Xhaxhit, pas barazimit me Skënderbeun 0-0 në Qemal Stafa, ka qëndruar një ditë pushim, edhe pse të mërkurën do të zhvillojë ndeshjen e kupës ndaj Vlorës në transfertë. Blutë do të nisin nga puna sot për të përgatitur skuadrën për dy takimet e ardhshme, të cilat rezultojnë të dyja transferta. E para në kupë ndaj Vlorës dhe e dyta në Berat ndaj Tomorit për kampionat.
Ajo që mbetet për tu theksuar është se ditën e hënë ka zhvilluar një seancë stërvitore vetëm pjesa tjetër e skuadrës, që nuk është aktivizuar gjatë ndeshjes së kampionatit të dielën mbrëma. Ashtu siç ka deklaruar përpara takimit tekniku i bluve, Faruk Sejdini, ashtu edhe ka bërë në ndeshjen e së dielës në shtëpi.
Ai nuk i ka falur kampionët në fuqi të Skënderbeut, madje djemtë e drejtuar prej tij kanë rrezikuar më shumë portën e Skënderbeut gjatë 90-minuitëshit. Ka rezultuar me fat porta e Shehit, e cila nuk pësoi gol, sepse sulmi dinamovit, i ndihmuar maksimalisht edhe nga mesfusha e përbërë kryesisht nga të rinj me pak eksperiencë në ekipin e madh, ka qenë në një ditë të shkëlqyer, por jo me fat për ta fituar këtë takim.
I riu Imami, pas takimit me kampionët, ku goditi dy herë shtyllën, deklaron për gazetën Sporti shqiptar: Ishte ndeshja e parë ku unë luaja si titullar. Emocione të mëdha më shoqëronin, edhe sepse Dinamo është një skuadër me emër të madh përpara kampionëve në fuqi të Skënderbeut. Duke parë që po krijonim raste dhe në pjesën e parë e zotëruam lojën ne, emocionet filluan të më largohen.
Nëse do të kisha eksperiencë më të madhe, mund të shënoja në rastet që mu paraqitën Gjithsesi, dy shtylla nuk janë pak. Për sa i përket pozicionimit tim në fushë, unë mund të luaj më mirë mesfushor i majtë. Për ndeshjen e parë me Apoloninë, pas daljes me të kuq të Dajës, u mbylla në qendër. Për ndeshjen e radhës me Tomorin do të mundohemi të marrim pikë, por mund të tentojmë edhe fitoren atje.
Kemi pak vështirësi jashtë fushe si pasojë e mungesës së eksperiencës së nevojshme, por duke pasur lojtarë si Kuli, Deliallisi e të tjerë me radhë, kjo nuk do të ndikojë shumë. Për më tepër, kemi edhe një trajner me një eksperiencë të madhe mbi supe dhe mendoj se do të manovrojmë mirë edhe ndaj presioneve të sharave dhe problemeve të tjera që ndodhin atje. Në Vlorë, për kompeticionin e kupës shkojmë që ta sigurojmë që në ndeshjen e parë kualifikimin, – ka përfunduar 19-vjeçari i bluve të kryeqytetit.
