E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Bici: Gramshi të shohë përpara

Nga Artan Paja

Pasi u ka ndarë shpërblimet për fitoren ndaj Ilirisë, kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici, i ka ftuar futbollistët ta hedhin vështrimin nga ndeshja e radhës me Gramozin, që gramshiotët do të luajnë të shtunën në shtëpi. Ai i është drejtuar grupit të futbollistëve, duke u thënë që ta harrojnë humbjen e trishtë me Elbasanin, si dhe të mos e nënvlerësojnë ndeshjen e kupës me Kastriotin.

Numri 1 i bashkisë ka dashur tu qëndrojë pranë futbollistëve dhe stafit teknik, me qëllim që ata të mos e përjetojnë keq humbjen e thellë me Elbasanin. ”Të gjitha skuadrat humbasin, por edhe të tjera fitojnë. Ky është thelbi i futbollit, ndaj do tu lutem gjithë futbollistëve dhe veçanërisht trajnerit Mustafaraj që të vazhdojmë punën që kemi nisur.

Shpresoj shumë që në ndeshjen e radhës Gramshi të marrë pikët e plota dhe të gjithë së bashku të shohim përpara. Nuk ka rëndësi nëse humbet 5-1 apo 1-0, humbja është humbje dhe skuadra duhet të përfitojë për të vënë në pah aftësitë më të mira që disponon. Kam besim se këshillat tona do të vlejnë më shumë se dëshpërimi që ka përfshirë skuadrën, që vetëm se e dëmton psikologjikisht, – u shpreh për Sportin shqiptar kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici.

Fubollistët titullarë, por edhe ata që luajtën si zëvendësues ndaj Ilirisë, janë shpërblyer nga kryebashkiaku me shumën e 10 mijë lekëve. Dyfishimi i kësaj shume ishte vënë në dispozicion për një rezultat pozitiv ndaj Elbasanit, ku Gramshi nuk mundi të merrte pikë, edhe pse kaloi i pari në avantazh. Stafi teknik dhe drejtuesit më të lartë të klubit pritet të zhvillojnë një analizë të tërthortë të gjendjes së skuadrës, por nuk do të anashkalohet edhe ndeshja e së mërkurës, ku Gramshi pret në shtëpi ekipin krutan për kupë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›