E Diel, 1 Nëntor 2026

Novi: Luftëtari smerret me matrapazllëqe, bën luftë sportive

Gjirokastritët e zgjidhin enigmën në Kukës jo vetëm me fitore dhe barazim, por edhe me humbje me 1 gol diferencë, përveç rezultatit 1-0

Luftëtari, ashtu siç parashikohej, fitoi me Adën 2-0, rezultat që mund të ishte edhe më i thellë. Por, duke qenë se Kukësi, që vjen fill pas tij në renditje dhe fitoi në transfertë me Besëlidhjen duke luajtur poker (4-3), pritet që dueli midis tyre në Kukës të marrë përmasa kreshnikësh. Luftëtarit i mjafton dhe barazimi për të qënë pretendenti kryesor për titullin kampion të kategorisë së parë.

Pas kësaj sfide janë edhe ndeshjet Luftëtari-Mamurrasi dhe Lushnja-Kukësi, por përmbytja në Lezhë ka krijuar dyshime në mjedisin gjirokastrit. Luftëtari, pavarësisht nga rezultatet e dy ndeshjeve të fundit, pas 5 sezonesh rikthehet në elitën e futbollit kombëtar. Mister mbetet se cili do jetë kampion, që ka edhe përfitime financiare mjaft të majme, ekipi i Luftëtarit apo ai i Kukësit.

Në Lezhë, sipas të thënave që arritën në Gjirokastër, u luajt komedi, e cila  për Luftëtarin mund të rezultojë tragjedi. Ndërkaq, mund të ndodhin përplasje tepër emocionante, ku më e spikatura do të ishte fitorja e Kukësit me Luftëtarin, humbja e tij me Lushnjën dhe fitorja e Luftëtarit me Mamurrasin.

Luftëtari e zgjidh enigmën në Kukës jo vetëm me fitore dhe barazim, por edhe me humbje me 1 gol diferencë, përveç rezultatit 1-0. Luftëtari, edhe i vetëm trim në luftë, përveç ekipeve në fushën e lojës, pati dhe mund të këtë kundërshtarë e aleanca që mund ti kushtojnë në këtë fund kampionati.

Titulli kampion Neritan Novi, ndihmëstrajneri i ekipit gjirokastrit, shprehet: Në radhë të pare, dua të them se Luftëtari nuk merret me matrapazllëqe, siç bëjnë disa ekipe. Ata që bëjnë nga këto manovra, përderisa nuk pengohen, le ta çojnë atë që kanë nisur gjer në fund, ndërkohë që ne do të vazhdojmë rrugën tonë.

Kemi të dhëna se disa ekipe që kanë ardhur në Gjirokastër janë financuar, kanë marrë premio për të luftuar kundër nesh, pikërisht nga rivalët tanë, por kanë dështuar. Asnjë ekip nuk mund ti bëjë gjë Luftëtarit në fushën tonë. Me Adën fituam 2-0, mund të kishim arritur një rezultat më të thellë, por na mungoi fati.

Rëndësi ka që fituam 3 pikët, jemi kryesues dhe do të shkojmë në Kukës me moral të lartë. Aty do të përplasen dy ekipet e para të kategorisë së parë që sezonin tjetër do të luajnë në superligë. Ne do të luftojmë me të gjitha forcat për të arritur një rezultat që do të na shpallë kampionë. Do të luftojmë deri në çastet e fundit për këtë objektiv. Mendimi ynë është se ky titull, më shumë se kujtdo, i takon Luftëtarit me çka ka dhënë në këtë kampionat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›