E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato, të enjten pasdreke në Tiranë, Zajcev vjen në mesnatë

Albania-Sport - Boksieri shqiptar, Kreshnik Qato, do të mbërrijë të enjten pasdreke në Tiranë, ndërsa rivali i tij, rusi Aleksandër Zajcev, pritet të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar pak minuta para mesnate. Bashkë me Qaton, pritet të mbërrijë edhe menaxheri i tij, Filip Fondu, si dhe gjyqtari i ndeshjes, Adrio Zanoni, si dhe një nga gjyqtarët e dytë, Predrag Aleksic. Po kështu, në të njëjtin fluturim me atë të shqiptarit, do të mbërrijnë edhe dy boksierë të tjerë, bullgari Tontco Tontcev, dhe ai francez, Frederik Goset. Bashkë me këtë të fundit, do të mbërrijë edhe trajneri i tij, Nikolas Rifard, i cili ka stërvitur për disa kohë edhe Qaton.
Goset dhe Tontcev do të ndeshen me njëri-tjetrin në sfidën përpara ndeshjes së Qatos, në një takim me 6 raunde. Ndërkaq, boksieri rus, ish-kampion i Evropës para disa vitesh, Aleksandër Zajcev, do të mbërrijë në aeroportin e Rinasit pak para mesnate, i shoqëruar nga trajneri i tij, Oleg Kostromin. Kurse të premten, më 2 mars 2007, do të mbërrijnë në mesditë edhe gjyqtari luksemburgas. Zhan Xhiakomantonio dhe supervizori belg, Rinze Ven Der Meer. Po të shtunën pasdreke, në një orar që pritet të konfirmohet në orët në vazhdim, do të mbërrijë edhe Presidenti i Bashkimit Evropian të Boksit, Bob Loxhist.
Evenimenti, i cili do të nisë në ora 18:00 dhe do të vazhdojë deri në orën 23:00, do të ketë pesë takime, duke nisur me atë të peshës 57 kg, midis Ilir Selmanit dhe Altin Cakës, duke vijuar pastaj me atë të peshës 69 kg, midis Antonet Rrapushit dhe Zamir Selmani, atë të peshës 75 kg, midis Arsen Dokos dhe Sulejman Dashit. Ndërkaq, në gadishmëri do të qëndrojnë edhe dy boksierët e peshës 81 kg, Sajmir Pirja dhe Nedeskand Bandeli, të cilët do të ndeshen nëse ndonjëra prej 3 ndeshjeve të para përfundon mc shpejht se c'ishte parashikuar. Të gjitha këto ndeshje do të jenë nga 4 raunde secila, përsa kohë boksierët të mos e mundin njëri-tjetrin me "knock-out".
Me interes pritet edhe ndeshja e parafundit, ajo midis francezit Goset dhe bullgarit Tontcev, që do të zgjasë deri në 6 raunde dhe që do të shërbejë si një prelud për betejën midis Qatos dhe rusit Zajcev. Nivelin e këtij evenimenti e rrit gjithashtu edhe prania, tashmë e konfirmuar e presidentit të organizmit evropian të boksit, Bo Loxhist, i cili do të qëndrojë për 3 ditë në shqipëri, duke mbërritur të shtunën pasdite dhe duke u larguar të hënën paradite. Të gjithë këta do të akomodohen në Hotelin "Rogner" Europark të kryeqytetit, që, përkrah organizatorit "Yldon" sh.p.k., është njëkohësisht edhe njëri prej sponsorëve të këtij evenimenti, së bashku me AMC-në, platformën dixhitale "Supersport" (transmetuese ekskluzive e gjithë veprimtarisë), si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›