Elbasani, “macja e zezë” e kryeqytetasve
Dinamo, kryesuese e kampionatit, do të luajë një takim mjaft të vështirë përballë Elbasanit, i cili është kthyer në një “mace e zezë” për ekipet kryeqytetase. Djemtë e Agim Canajt janë në një situatë mjaft delikate për vazhdimësinë. Një fitore do t’i afronte akoma më afër titullit kampion, ndërsa një humbje e mundshme për Dinamon mund të rihapte gjithçka në garën për titull.
Të dy ekipet vijnë pas një rezultati pozitiv. Dinamo fitore në Kavajë e Elbasani barazim me një kundërshtar të fuqishëm siç është Tirana.
Tirana e Sul Memës do të ndeshet në një takim mjaft delikat me Kastriotin që një javë më parë shpartalloi Vllazninë. Djemtë e Memës, megjithëse do të kërkojnë fitore, do të ndeshen me rezistencën e krutanëve si një ekip me një kontigjent mjaft simpatik në këtë fazë të dytë të kampionatit. Tirana vjen pas një barazimi me Elbasanin dhe me hijen e rëndë të shkarkimit të Hafizit, situatë që do të ndikojë jo pak në ekip në këtë ndeshje.
Vllaznia e Shkodrës do të ndeshet me Teutën, e cila kërkon që të shpëtojë rënien nga Superliga. Një ndeshje shumë e vështirë për shkodranët, të cilët luajnë pa katër titullarë. Grima e Kotorri të pezulluar, Kraja e Ahi të përjashtuar. Teuta vjen me moralin e ngritur pasi ka fituar një ndeshje me një rival direkt siç është Besëlidhja ndërsa shkodranët vijnë pas një shokimi në Shijak ndaj Kastriotit.
Shkumbini do të luajë një ndeshje të lehtë në letër përballë Skënderbeut ku marrja e tri pikëve nuk do të vihet në diskutim edhe pse korçarët janë forcuar pak në merkaton e dimrit. Besëlidhja e Neptun Bajkos do të luajë një ndeshje për jetë a vdekje nesër ndaj Flamurtarit, ku një tjetër humbje do t’i thoshte përfundimisht edhe lamtumirë Superligës. Superliga kryesohet nga Dinamo me 40 pikë e ndjekur nga Partizani me 34 e Elbasani me 31.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 19
9 SHKURT 2008
Vllaznia (5)-Teuta(10)
Gjyqtarë: A.Janku
L.Mustafaraj-E.Pjetrushi
Dinamo(1)-Elbasani(3)
Gjyqtarë: Sh.Guce
E.Doda-D.Salaj
Partizani(2)-Besa (6)
Gjyqtarë: T.Latifi
M.Dervishi-S.Zeka
Shkumbini(7)-Skënderbeu(12)
Gjyqtarë: S.Velçani
F.Lamaj-D.Rexha
Besëlidhja(11)-Flamurtari(8)
Gjyqtarë: E.Dobi
E.Biçaku-G.Maloku
Kastrioti(9)-Tirana(4)
Gjyqtarë: A.Lulaj
A.Lamçe-A.Pregja
*Në kllapa, vendi në renditje
9 Shkurt 2008